Qeveria bën edhe rrugët me pagesë, ja 9 akset

Së shpejti në Shqipëri do të bëhen me pagesë rreth 9 akse rrugore. Kështu kanë propozuar këshilltarët ndërkombëtarë të pajtuar nga qeveria, për të hartuar strategjinë kombëtare të taksimit rrugor.

“Top Channel” ka zbardhur dokumentin konfidencial, i cili është përgatitur nga Eurokonsalltënts për llogari të qeverisë shqiptare. Sipas këtij dokumenti rekomandohen 9 akse si më të përshtatshme për t’u bërë me pagesë, përmes një procesi gradual me katër faza.

“Në fazën e parë, e cila do të jetë e menjëhershme propozohet të bëhen me tarifë kalimi katër rrugët kryesore të vendit, autostrada Tiranë-Durrës, ajo Tiranë-Elbasan, rruga Durrës-Kukës dhe rruga e “Arbrit” pasi të jetë përfunduar”, thuhet në dokument.

Ndërkohë, pas instalimit të pagesës në këto segmente, propozohet të vendosen në sistem tarifimi rruga Levan-Vlorë dhe ajo Durrës-Fier, edhe këto dy akse të ndërtuara rishtaz.

Sipas këtij dokumenti, në fazën e tretë do të vendoset pagesa për rrugën Levan-Tepelenë dhe rrugët e fundit që do të përfshihen në skemën e tarifimit janë Elbasan-Kapshticë dhe Tiranë-Hani i Hotit.

“Tarifa e propozuar që duhet të paguajnë qytetarët varion nga 0.5 deri në 3.5 cent të euros për çdo kilometër”, vijon dokumenti.

Kjo do të thotë se në një rrugë me gjatësi 100 kilometër çdo automjet duhet të paguajë deri në 3.5 euro për të kaluar. Sipas strategjisë këto para do të përdoren për mirëmbajtjen e rrugëve ekzistuese dhe ndërtimin e atyre të rejave.

Ndërkohë, Banka Botërore parashikon se Shqipërisë i duhen 400 milionë dollarë për mirëmbajtjen e fondit rrugor në katër vitet e ardhshme, dhe një pjesë e kësaj kostoje mund t’u ngarkohet qytetarëve duke e bërë kalimin me pagesë.

Aktualitet

Archives