Trump shkarkon drejtorin e FBI-së

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka shkarkuar nga detyra drejtorin e Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), James Comey.

Në deklaratën e bërë nga Shtëpia e Bardhë njoftohet se Comey është shkarkuar nga detyra me rekomandimin e bërë nga Sekretari amerikan i Drejtësisë, Jeff Sessions dhe Zëvendës sekretari, Rod Rosenstein.

Si arsyetim për shkarkimin e Comey-it, Presidenti Trump tregoi “paaftësinë e tij për të udhëhequr me këtë institucion”.

Ndërkaq James Comey bëri të ditur se lajmin për shkarkimin e tij e mësoi nga televizioni.

“FBI është një nga institucionet më të çmuara dhe të respektuara të vendit tonë dhe sot për FBI-në do të shënohet një fillim të ri”, thuhet ndër të tjera në deklaratë e Shtëpisë së Bardhë.

Në deklaratën ku theksohet se kërkimet për një drejtor të ri të FBI-së do të fillojnë menjëherë nuk janë dhënë detaje në lidhje me hapin e ndërmarrë për shkarkimin e Comey-it.

Ndryshe, ish-drejtori i FBI-së, Comey po kryente hetimet në kuadër të pretendimeve të lidhjes së fushatës së Trump-it me Rusinë, nderka ai ka udhëhequr hetimet në lidhje me skandalin e postave elektronike të Hillary Clinton.

Departamenti amerikan i Drejtësisë bëri të ditur se Comey me debatet publike të bërë për hetimet në lidhje me skandalin e postave elektronike të Hillary Clinton, ka bërë shkeljen e parimeve dhe procedurave të departamentit.

James Comey, i cili iu përgjigj pyetjeve të senatorëve javën e kaluar ishte emëruar drejtor i FBI-së në shtator të vitit 2013 nga ish-presidenti i SHBA-ve, Barack Obama.

Ndërkaq demokratët bëjnë të ditur se në krye të hetimeve në lidhje me ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të mbajtura më 8 nëntor duhet të emërohet një prokuror special i pavarur.

Aktualitet

Archives