I moshuari e mohon në gjykatë: Nuk e vrava unë

“Arrest me burg” është masa e sigurisë e dhënë ditën e sotme për 74- vjeçarin Beqir Xhilaj i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes natën mes të dielës dhe të hënës.

Teksa ka dalë në Gjykatën e Krimeve të Rënda për t’u njohur me masën e sigurisë, ai ka mohuar krimin.

“Nuk e vrava unë, ajo vrau veten. Edhe po të doja nuk e bëja dot, jam me një dorë” është shprehur i moshuari.

74- vjeçari vrau të shoqen 47 vjeçe Lumturie Xhilaj, duke e qëlluar me çifte, çka bëri që prej plagëve të marra, gruaja të gjejë vdekjen në banesën ku jetonin në fshatin Guci e Re të Shkodrës.

I moshuari ka dhënë dëshmi kontradiktore në polici, ku fillimisht e mohoi krimin, më pas e pohoi atë dhe sot në gjykatë e ka mohuar sërish.

Xhilaj, akuzohet se përpara viteve ‘90-të në periudhën e komunizmit ka vrarë edhe një tjetër grua të tij.

Për këtë krim ai u dënua me burg, dhe pas daljes nga qelia u martua sërish. E ndjera Lumturie Xhilaj ishte gruaja e pestë e tij, por nga martesa e tyre nuk kishte fëmijë.

Ndërkohë Beqir Xhilaj nuk e ka njërin krahë, pasi të afërmit e gruas së parë të ndarë nga jeta e plagosën duke e akuzuar për vdekjen e familjares së tyre.

Aktualitet

Archives