Xhafa jep deklaratë të fortë për Tahirin: Shumë gabime. Policët e shkarkuar të lidhur me kanabisin

Në  intervistën së dhënë për Sokol Ballën ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj u pyet për punën e paraardhësit të tij Saimir Tahiri. Ministri aktual tha se Tahiri ishte një i ri që kërkoi të bëjë gjëra të mëdha, por u penalizua nga mungesa e përvojës.

“Paraardhësi im ka qenë një djalë i ri kur është ulur në karrigen e ministrit dhe që ka punuar me pasion të jashtëzakonshëm për të bërë gjëra të mira dhe ka bërë gjëra të mira. Ka bërë gjëra të mira në përbërjen dhe arsimimin e policisë së shtetit, por edhe në motivimin e policisë së shtetit.

Natyrisht në gjithë këtë përpjekje të madhe dhe pasion ndoshta edhe nga mungesa e përvojës ka bërë edhe gabimet e veta. Nëse ai i sheh sot me qetësi do të fliste për arritje pozitive dhe mangësi në punën e tij”, tha Xhafaj.

Megjithatë akuzën më të rëndë Xhafaj ia bëri Tahirit gjatë intevistës kur foli për kanabisin. Ai pranoi se lëvizjet në policinë e shtetit lidheshin me çështjen e kanabisit.

“A mund të ndodhë kjo që ndodhi me kanabisin jashtë policisë? Absolutisht jo”. Është i drejtpërdrejtë Fatmir Xhafaj kur flet për implikimin e policisë në narkotrafik. Tahiri e mbronte me forcë policinë e tij, por Xhafaj ka një tjetër mendim.

“Qoftë në Përmet, Lezhë dhe Gjirokastër. Ua kam bërë të qartë. Do të përgjigjet për cdo rrënjë kanabisi.  Është e pamundur që atje ku mbillet kanabis të mos e shohë polici i zonës, polici i pyjores apo dhe kryeplaku me banorët.

Ka pasur segmente të policisë të implikuara në këtë trafik. Ata ose janë paguar për heshtjen e tyre, ose janë blerë për të bashkëpunuar. Disa drejtues të policisë vendore minimalisht kanë heshtur. Nuk mund të them se ata kanë qenë të përfshirë, por minimalisht kanë heshtur” – ishte deklarata e fortë e ministrit Xhafaj.

Aktualitet

Archives