Kampionati Botëror i Aeronautikës – 150 pilotë nga 28 vende të ndryshme të botës në Vlorë

Kampionati Botëror i Aeronautikës startoi të premten në Vlorë, ndërsa për 10 ditë me radhë qyteti bregdetar do të jetë epiqendra e fluturimeve të lira nga pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës.

Shqipëria pret këtë vit për herë të parë rreth 150 pilotë nga 28 vende të ndryshme të botës për Kampionatin e 9-të Botëror të Fluturimeve të Lira me Preçision, që organizohet nga data 5-14 maj. Për organizimin e këtij aktiviteti shumë të rëndësishëm sportiv është zgjedhur Vlora, për vetë natyrën që ofron, kushtet atmosferike, të cilat ndikojnë shumë në fluturimet me parashutë.
Ceremonia e nisjes e këtij eventi të jashtëzakonshëm është zhvilluar në sheshin e Lungomares, ndërsa të pranishëm ishin ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri dhe Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, kryetari i bashkisë Vlorë Dritan Leli, por edhe përfaqësues të Federatës Ndërkombëtare të Aeronautikës që kanë vlerësuar Vlorën dhë Shqipërinë për natyrën që ofron në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti.

Aktorja shqiptare me famë ndërkombëtare Eliza Dushku është imazhi kryesor i kampionatit të 9-të Botëror të Fluturimeve të Lira.
Kampionati Botëror i Aeronautikës do të jetë jo vetëm një aktivitet sportiv me kujdesin e veçantë të Federatës Botërore të Aeronautikës, por edhe një mundësi e artë për promovimin e turizmit shqiptar dhe bukurive që të ofron riviera e bregdetit tonë.

Ky kampionat vjen edhe në kuadër të aktiviteteve të organizuara për çeljen e sezonit turistik në Vlorë.

Aktualitet

Archives