Dhuna e përgjakshme në parlamentin e Maqedonisë

Në mesnatën mes së enjtes dhe të premtes njësitë speciale të policisë së Maqedonisë kanë arritur të largojnë nga godina e Parlamentit protestuesit maqedonas të cilët u futën me dhunë brenda dhe sulmuan fizikisht deputetët e shumicës së re parlamentare.

Qindra qytetarë maqedonas nën organizim të Iniciativës “për Maqedoni të përbashkët”, të enjten pak pas orës 18:00 u futën me dhunë në Parlamentin e Maqedonisë pasi paraprakisht shumica e re parlamentare e përbërë nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Lëvizja për Reforma, në një situatë të tensionuar zgjodhën shqiptarin Talat Xhaferin kryetar të ri të Parlamentit të Maqedonisë.

Policia ka bërë të ditur se gjatë natës ka ndaluar disa protestues të cilët kanë ushtruar dhunë në parlamentin e Maqedonisë.

Nga ky dikaster gjithashtu kanë bërë të ditur se janë evakuar të gjithë deputetët dhe gazetarët të cilët mbetën të ngujuar pas hyrjes me dhunë të protestuesve, të cilët më pas janë dërguar në Spitalin e Qytetit ku kanë marrë dhe ndihmën e parë mjekësore.

Protestuesit përkrahës të VMRO DPMNE-së i kanë shkaktuar lëndime serioze trupore liderit të Lëvizjes për Reforma të Partisë Demokratike Shqiptare, liderit Social Demokrat, Zoran Zaev ndërkohë që e kanë tërhequr zvarrë dhe deputeten e LSDM-së Radmilla Shekerinska.

Nga partia e Zijadin Selës, Arben Taravari për Radion Evropa e Lirë ka thënë se zoti Sela mbetet nën përkujdesjen intensive të mjekëve dhe gjendja e tij është e stabilizuar dhe jashtë rrezikut për jetë.

Dikasteri i policisë përmes një komunikate për mediat ka bërë të ditur se mbi 100 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Në Spitalin e Qytetit që ndodhet përballë Kuvendit, ndihmë mjekësore kanë kërkuar gjithsej 70 qytetarë, 22 policë dhe 3 deputetë.

Gjithashtu, në kazermën në Gjorqe Petrov, ndihmë mjekësore kanë kërkuar edhe 7 qytetarë të tjerë.

Policia ka përdorur bombola me gaz lotsjellës për t’i larguar protestuesit nga godina e parlamentit.

Pas kësaj, një pjesë e protestuesve vendosën tenda para godinës së parlamentit për ta kaluar aty natën, siç kanë thënë, në mbrojtje të Parlamentit të Maqedonisë.

Lideri i VMRO DPMNE, Nikolla Gruevski në orët e hershme të mëngjesit ka theksuar se VMRO DPMNE nuk ka asnjë lidhje me dhunën e ushtruar.

Ai u ka bërë thirrje oganeve përkatëse që sa më shpejtë të zbardhë ngjarjen ndonëse për dhunën e ushtruar në Parlament ka fajësuar LSDM-në.

“E dënoj mënyrën se si Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë dhe partitë e tjera që e mbështesin vendosën që të përpiqen që në mënyrë joligjore të zgjedhin kryetar të Parlamentit të Maqedonisë duke i shkelur të gjitha procedurat ligjore dhe demokratike dhe me vetëdije kontribuan në rritjen e tensioneve dhe polarizimin e shoqërisë sonë”, ka theksuar Gruevski.

Ai tha se duhet të mbështetet iniciativa e presidentit të shtetit Gjorgje Ivanov pë realizimin e një takimi mes liderëve të partive kyesore politike për gjetjen e një zgjidhjeje për kapërcimin e situatës së krizës së thellë politike.

Por, kryetari i porsazgjedhur i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, tha se grusht-shtet ka bërë pikërisht VMRO-DPMNE duke i mbajtur të uzurpuara institucionet.

“S’do mend se populli nuk mund të jetë puçist. Puçist janë ata të cilët për aq kohë të gjatë i kanë uzurpuar institucionet dhe nuk lejonjnë të konsolidohen organet e parlamentit”, ka theksuar kryetari i Parlamentit të Maqedonisë Talat Xhaferi.

Edhe Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë e drejtuar nga Zoran Zaevi përmes një komunikate për mediat në mbrëmjen e së enjtes u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të ruajnë gjakftohtësinë dhe mos t’u përgjigjen provokimeve dhe skenarëve të ndryshme të dhunshme.

“Në momentet kur një nga sfidat më të mëdha në historinë e Maqedonisë, në dhunë të përgjakshme e nxitur nga regjimi në shpërbërje i Nikolla Gruevkit, LSDM bën thirrje për t’u përmbajtur në mënyrë maksimale nga çdo qytetar pa dallime. Bëjmë thirrje që të qëndroni të qetë dhe të mos bini pre e skenarëve të dhunshme dhe provokimeve të Nikolla Gruevskit dhe grupit të tij të ngushtë kriminal”, thuhet në deklaratë.

“Regjimi nuk do të mund t’i ndalojë më proceset demokratike. Shumica parlamentare tani do të realizojë vullnetin e qytetarëve për një Maqedoni demokratike dhe funksionimin e shtetit të së drejtës”, theksohet më tej në komunikatën për media të LSDM-së.

Edhe partitë politike shqiptare i kanë bërë thirrje popullatës që të ruajnë gjakftohtësinë dhe të mos bëhen pre e provokimeve.

BE dhe SHBA e kanë përshëndetur zgjedhjen e kryetarit të parlamentit ndërkohë kanë dënuar ashpër dhunën.

Aktualitet

Archives