DASH i bën thirrje Maqedonis për formimin e qeverisë

Një zëdhënës i DASH-it tha për VOA-n se pas zgjedhjeve të dhjetorit, ka një shumicë të qartë në Parlament dhe qeveria e re duhet të formohet pa zvarritje të mëtejshme, në mënyrë që vendi të rifillojë reformat e duhura për t’u anëtarësuar në familjen Euro-Atlantike.

Politikanët që përpiqen të bllokojnë formimin e qeverisë, ishte komenti i zyrtarit amerikan, po minojnë shtetin ligjor, procesin demokratik, stabilitetin e vendit dhe të rajonit. Shtetet e Bashkuara, theksoi zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, do të punojnë me partnerët evropianë për t’i nxitur politikanët që të heqin dorë nga pengesat si dhe t’i mbajë ata përgjegjës për veprimet e tyre.

Maqedonia vazhdon të mbetet pa një qeveri që pas zgjedhjeve të parakohshme të dhjetorit. Kalimin e pushtetit LSDM-së, që ka marrë votat e partive shqiptare, po e pengon Presidenti Gjorgje Ivanov. LSDM-ja pretendon se shumë shpejt do të zgjidhet kryetari i Parlamentit dhe më pas do të formohet qeveria reformatore.

Por, partia e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, VMRO-DPMNE, kërcënon me trazira të mbështetësve të saj në rrugë, nëse pushteti kalon në duart e socialdemokratëve.

Aktualitet