Festa e Pashkëve- Mesazhe urimi dhe thirrje për paqe e dialog nga krerët e Kishave

Në prag të festës së Pashkëve, drejtuesit e kishës katolike dhe asaj ortodokse kanë uruar të gjithë besimtarët.

Por në këtë mesazh urimi, ata u kanë bërë një apel edhe politikanëve për paqe dhe dialog.

Arqipeshkvi i dioqezës Tiranë-Durrës imzot George Frendo tha se “rruga për zgjedhjen e krizës së tanishme, qëndron vetëm në dialogun; në veçoritë e dialogut, gjatë të cilit, të dyja palët lipset jo vetëm të flasin, por edhe të dëgjojnë me përgjegjësi e pjekuri të plotë, për të finalizuar të mirën e kombit më shumë sesa të mirën e partisë. Sepse dialogu është dialog e jo monolog”.

Në apelin e tij, Imzot George Frendo apeloi që “të tregohemi se jemi njerëz që me të vërtetë e meritojmë shoqërinë demokratike e pluraliste. Demokracia kërkon pjekuri për një përdorim të mirë të votes dhe të lirisë duke pasur parasysh të mirën e përbashkët. Pluralizmi kërkon pjekurinë njerëzore, e cila ka mundësi të zgjedhë ndër shumë parti politike ose gjëra të tjera të mundshme, të zgjedhë atë që është më e mirë, ose atë që është më pak e keqe”.

Edhe Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos përcolli sot mesazhin e përvitshëm me rastin e Pashkëve ortodokse.


Gëzuar Pashkën vëllezër dhe motra. Triumfi i ringjalljes së Jezu Krishtit mbi padrejtësinë, dhunën, mëkatin dhe vdekjen i mbush zemrat tona përsëri me gëzim. Në këtë të kremte nuk meditojmë thjesht për një ngjarje unike, historike, por ftohemi të shkojmë drejt ripërtëritjes së jetës sonë shpirtërore. Le të kremtojmë me Pashkën duke ripërtërirë marrëdhënien tonë personale me Krishtin. Le ta jetojmë çdo ditë me ngazëllimin paskal i cili nuk e injoron realitetin e ashpër të jetës por e tejkalon dhe e transformon me hirin dhe fuqinë e Krishtit. Ripërtërirja që buron prej ngazëllimit paskal, le të jetë aspirata dhe përkujdesja jonë. Krishti u ngjall. Gëzuar Pashkën”.

/a.g/

Aktualitet

Archives