Erkand Qerimaj dhe Daniel Godelli fitojnë medalje

Peshëngritësit shqiptarë, përkundër kushteve shpesh skandaloze të përgatitjes, dhe problemeve të dopingut, sërish shkëlqyen në kontinent.
Daniel Godelli dhe Erkand Qerimaj fituan medalje europiane në kampionatin që po zhvillohet në Split të Kroacisë.
Medaljen më të çmuar, edhe pse vetëm në një stil, e meritoi Godelli.
Elbasanasi u shpall kampion i Europës në shkëputje, pikërisht në provën e fundit, atëherë kur ose triumfonte, ose dështonte plotësisht.
Ngriti 161 kg duke i lënë prapa të gjithë.
Stili i shtytjes ishte i shqiptarit tjetër, Qerimajt.
Shkodrani e nisi edhe ai shumë keq, duke dështuar dy herë.
Në të njëjtën situatë si Godelli, tregoi veten në momentin vendimtar, duke ngritur 193 kg, me parimin “ose medalje, ose asgjë”.
Fitoi argjendin në shtytje pas rumunit Dumitru Kaptaru, që ishte e papritura e vërtetë e garës në peshën deri 77 kg, duke fituar dy të arta.
Në dygarësh, Qerimaj fitoi atë që duhet quajtur medalja më e rëndësishme shqiptare në këtë Europian, atë të bronzit, duke ngritur gjithsej 348 kg.
Dy shqiptarët u ngjitën në podium njëri pas tjetrit, dhe flamuri ynë u ngrit dy herë në Arenën e Splitit, ndërsa Qerimaj me siguri do të jetë ndjerë disi I dëshpëruar.
Ai e humbi argjendin në dygarësh vetëm për 100 gram peshë trupore më shumë sesa rivali tjetër rumun, Rëzvan Martin.
Gjithsesi, Shqipëria mund të krenohet me këtë Europian ku fitoi gjithsej katër medalje.

Aktualitet

Archives