Zbardhen negociatat për tryezën e dialogut

Qëndrimi i papritur i Ilir Metës për një qeveri besimi me qëllim zgjidhjen e krizës, takimet intensive të kryeministrit Rama menjëherë pas saj, si dhe lëvizjet paralele në kampin opozitar duket se po i çojnë palët drejt një takimi për dialog.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, u shpreh dy net më parë se zgjidhja ishte afër, Rama në anën tjetër e ftonte atë në dialog për gjithçka kudo dhe kurdo, edhe pse më herët ai kishte folur për dy vijat e kuqe të Kushtetutës. Qeveria i përket shumicës dhe data e zgjedhjeve nuk shtyhet janë dy çështjet për të cilat Rama deri dje nuk ka lëshuar pe edhe pse paralelisht mes negociatorëve nga secila palë është rënë dakord për një format bisedimesh mazhorancë-opozitë.

Dy net më parë, ishte propozuar një takim i formatit PD-PS, ndërsa dje rregullat kanë ndryshuar. Formati është diskutuar të jetë më i gjerë duke futur në lojë edhe aktorët e tjerë politikë, përfshi këtu LSI-në.

Lulzim Basha duket se e ka diskutuar këtë lëvizje edhe me aleatët dje në selinë blu, ndërsa biseda mes tyre ka avancuar deri te tiparet që duhet të ketë një kryeministër i qeverisë teknike, por pa përmendur emra. Megjithatë, burime nga PD-ja thanë se situata nuk është aq e qartë duke konsideruar se përpjekja për një format bisedimesh mund të jetë më shumë një lëvizje taktike sesa zhvillim konkret, sa kohë që palët janë diametralisht të kundërta në arritjen e qëllimeve. Në mes qëndron LSI-ja, e cila edhe ajo ka ofruar disa zgjidhje të saj në takimin që Ilir Meta zhvilloi për rreth 90 minuta me Edi Ramën.

Më pas ky i fundit ka mbledhur bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, për të vijuar menjëherë pas tyre me një tjetër takim me ministrin e Drejtësisë, Petrit Vasili, i pranishëm në darkën e peshkut mes Ramës dhe Metës pak ditë më parë.

Bisedat mes tyre, të paktën publikisht nuk kanë prodhuar ndonjë lëvizje konkrete edhe pse palët e kanë të qartë se si do të negociojnë. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, deklaroi dje se opozita është e gatshme për dialog, por jo për ndarje pushteti, duke iu referuar indirekt edhe gatishmërisë së Ilir Metës për të dorëzuar mandatet e partisë që ai drejton te PD-ja nëse i shërben zgjidhjes së krizës.

“…Nëse do të ketë dialog politik që e kemi kërkuar që prej ditës së parë, ky dialog politik nuk do të kthehet kurrë në një pazar të pisët të disa politikanëve të opozitës me disa politikanë të mazhorancës që të vazhdojë komploti ekonomik, që të vazhdojë komploti politik, që të vazhdojë Republika e vjetër, që të vazhdojë mashtrimi, dështimi, vjedhja, papunësia. Por, do të jetë dialogu politik që përmes standardit europian për zgjedhje të lira dhe të ndershme – themeli i gjithçkaje – përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, do t’i japë fund njëherë e përgjithmonë Republikës së vjetër, rrugëve të vjetra, mënyrave të vjetra dhe gjithçkaje të kalbëzuar në këtë vend që mban peng interesat, mban peng shpresat, mban peng zhvillimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve…”, -tha Basha nga çadra e ngritur para kryeministrisë.

Basha paralajmëroi gjithashtu se përpos negociatave për bisedime, ajo që nuk ndryshon nga opozita është kërkesa për qeveri teknike.

“Republika e vjetër do të shpresojë që, përmes një dialogu fasadë, të arrijmë zgjidhje fasadë, ku Partia Demokratike dhe opozita të bëhen pjesë e teatrit të kukullave në shkëmbim të pazareve, në emër jo të interesave të shqiptarëve, por të interesave të kupolës. Me pak fjalë, që Partia Demokratike dhe opozita të marrë karriget e saj dhe llokmat e saj në kupolën kriminale të Republikës së vjetër. Kjo është shpresa, ky është projekti”, -tha Basha.

Aktualitet

Archives