Rusia dhe Asad mohojnë masakrën kimike, mblidhet Këshilli i Sigurimit

Moska zyrtare dhe Qeveria e presidentit sirian, Bashar al-Assad, kanë mohuar përdorimin e armëve  kimike kundër civilëve në qytetin Khan Sheikhoun në veriperendim të Sirisë, duke akuzuar rebelët për përdorimin e tyre.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se avionët e saj nuk kanë kryer asnjë sulm pranë qytetit Khan Sheikhoun.

Zëdhënësi i Ministrisë, gjeneral major Igor Konashenkov, tha se ushtria ruse ka ndërmarrë të martën një sulm ajror mbi një depo armësh dhe fabrikë municionesh në periferinë lindore të qytetit të Khan Sheikhoun.

Autoritetet e Moskës kanë shtuar se në fabrikë prodhohen armë kimike të të njëjtit lloj që janë përdorur në Irak dhe në Aleppo, ku u shfaqën simptoma të ngjashme me ato në Khan Sheikhoun.

Një koalicion i organizatave humanitare dhe mjekësore perëndimore, i quajtur “Union of Medical Care and Relief Organizations”, thotë se numri i të vdekurve arrin në 100 dhe të plagosurit janë më shumë se 350. Në mesin e të vrarëve janë të paktën 11 fëmijë.

Aktivistët e opozitës siriane e përshkruan sulmin si ndër më të rëndët në luftën e përgjakshme të Sirisë që vazhdon prej gjashtë vjetësh. Grupi kryesor opozitar politik, Koalicionit Kombëtar Sirian, e quajti atë një “masakër të tmerrshme.”

Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mbajë sot në mëngjes një takim të ngutshëm për të diskutuar mbi ngjarjen.

Britania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara kanë paraqitur një projekt-rezolutë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke kërkuar një hetim të plotë mbi ngjarjen.

Rezoluta i bën thirrje për Organizatës kundër armëve kimike të raportojë sa më shpejt të jetë e mundur provat e mbledhura në terren.

Aktualitet