Dy ndeshje ndaj Juves, masa të rrepta në Napoli

Napoli-Juventus, do të jetë super-sfida që do të luhet dy herë brenda 72 orëve. Më 2 prill klubet do të luajnë takimin e vlefshëm për kampionatin italian dhe 3 ditë më pas, më 5 prill do të përballen për ndeshjen e kthimit të gjysmëfinaleve të kupës së Italisë.

Dy sfida spektakolare dhe shumë të nxehta, që në Napoli po priten me ankth e me padurim. Tensioni mes tifozërive të dy klubeve është i vjetër, por këtë herë pritet që të arrijë në kulmet e veta.

Transferimi i Higuain te Juve nuk është kapërdirë mirë nga napolitanët dhe të dielën në mbrëmje, sulmuesi argjentinas do të luajë për herë të parë si kundërshtar në “San Paolo”. Tifozët e Napolit pritet t’i rezervojnë një pritje aspak të këndshme sulmuesit të Juventusit, me kontestime, vërshëllima dhe banderola kundër tij.

Ndeshja e parë e kupës së Italisë, e fituar 3-1 nga bardhezinjtë, shtoi edhe më shumë polemikat dhe urrejtjen midis dy klubeve. Dy penallti në favor të Juventusit dhe një e mohuar për Napolin, sollën kontestime të gjata të napolitanëve, të cilët vazhduan për ditë me radhë të akuzojnë juventinët për favorizime në gjykim.

Juventusi do të mbërrijë të shtunën pasdite në Napoli, nën masa të rrepta sigurie, ku pritet të blindohet qyteti dhe hoteli ku do të qëndrojnë bardhezinjtë. 4 kilometrat e transferimit të ekipit të Allegrit drejt stadiumit “San Paolo”, pritet të jenë më të vështirat e këtij organizimi, pasi në të njëjtën rrugë do të jenë duke lëvizur edhe grupet e organizuara të tifozëve napolitanë.

Ndonse ndeshjet kanë vetëm 72 orë diferencë midis njëra-tjetrës, Juventus nuk do të qëndrojë në Napoli, por do të largohet për tu rikthyer sërish të martën në mbrëmje, për të luajtur ndeshjen e kthimit të gjysmëfinaleve të kupës.

Këto dy takime janë mjaft të rëndësishme, veçanërisht për Napolin, i cili duhet të fitojë në kampionat për të ruajtur vendin që e kualifikon në Champions dhe të tentojë kualifikimin në kupën e Italisë, për të tentuar fitoren e saj dhe për të shpëtuar sezonin.

Adhuruesve të futbollit, ju mbetet vetëm të shijojnë këto dy supersfida.

Aktualitet