Koment i TRT-se – Të jesh pakicë në Ballkan: Shembulli i Greqisë

Edhe pse Greqia është anëtare e BE-së dhe NATO-s autoritetet e këtij vendi vazhdojnë të mohojnë problemet e ndryshme që kanë me pakicat shqiptare, maqedonase dhe turke.

Falë këmbimit të popullsisë që bëri me Turqinë dhe Bullgarinë në kuadër të Traktateve të Lozanës dhe Neuilly-it dhe falë disa emigrimeve Greqia arriti që ta shndërrojë në një gjendje mjaft homogjene strukturën e popullsisë. Ndërsa praninë e grupeve të vogla etnike në numër që vazhdojnë të ekzistojnë në Greqi, autoritetet greke e mohojnë vazhdimisht. Kjo është edhe arsyeja që herë pas here Greqia kritikohet në raporte të ndryshme për problemet që ka me pakicat shqiptare, maqedonase dhe turke. Shembulli i Greqisë tregon se pakicat në vendet e Ballkanit nuk shihen me syrin e pasurisë kulturore.

Në histori Ballkani ka parë sundimtarë dhe perandori të ndryshme. Fuqia e para që e ka marrë nën ndikimin e vet të gjithë gadishullin e Ballkanit ishin romakët. Pastaj një pjesë e rëndësishme e Ballkanit mbeti brenda kufijve të Perandorisë Bizantine. Më vonë, banorët e rajonit u njohën edhe me qeverisjet e Osmanëve dhe Habsburgëve, dhe pas vitit 1867 u njohën me administrimin e Perandorisë Austro-Hungareze. Megjithatë, sllavët ditën ta shfrytëzojnë mirë shansin për të krijuar shtetin e tyre të fuqishëm të Mesjetës, sidomos gjatë periudhave kur Bizanti e kishte humbur fuqinë e dikurshme. Për shkak të këtyre arsyeve, në Ballkan sot është e vështirë të gjesh zona të pastra etnikisht.

Me formësimin e kufijve të shteteve kombëtare në Ballkan, grupe që i përkasin një kombi të caktuar kanë mbetur brenda kufijve të vendeve fqinje duke u kthyer në këtë mënyrë në një pakicë. Për fat të keq, minoritetet në fjalë nuk janë parë shumë me syrin e një pasurie kulturore. Për më tepër, mendimi se këto minoritete janë përdorur si një mjet i politikës së jashtme nga vendet kryesore ka qenë i përhapur për një kohë të gjatë në Ballkan. Pasi po të shikojmë zhvillimet e viteve 1990-të në Ballkan vëmë re se minoritetet janë përdorur si një shkëndijë për të nisur konfliktet. Pakicat janë përdorur si një mjet për të sulmuar vendin fqinj ose për fillimin e një konflikti të brendshëm.

Gjendja e pakicave nuk ka qenë shumë e mirë as në vendet e tjera të Ballkanit që nuk u përfshinë në konfliktet e viteve 1990. Sidomos Greqia, pavarësisht se ka qenë një vend anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian (BE), ajo ka vazhduar ti mohojnë pakicat e saj. Për këtë arsye, pakicat etnike që jetojnë në Greqi, sidomos shqiptarët, maqedonasit dhe turqit, vazhdojnë të sjellin në rend të ditës shqetësimet e ndryshme që kanë.

Shqiptarët që jetojnë sot në Greqi ndahen në tre grupe kryesore: në shqiptarët ortodoksë, shqiptarët e Çamërisë dhe emigrantët shqiptarë që kanë shkuar për të punuar (pas viteve 90-të). Dihet që shqiptarët ortodoksë në shekullin e 19-të kanë jetuar në mënyrë të dendur në zonën përreth Athinës dhe në ditët e sotme ata janë helenizuar në masë të konsiderueshme. Kurse një pesë e rëndësishme e shqiptarëve çamë, numri i të cilëve mendohet të jetë rreth 100 mijë, pra të shqiptarëve që jetojnë në zonën e Çamërisë, janë myslimanë.

Pas vitit 1945 Greqia ka dëbuar rreth 30.000 shqiptarë Çamë me arsyetimin se ata kishin bashkëpunuar me forcat pushtuese italiane. Autoritetet greke refuzojnë vazhdimisht çështjen e rikthimit të këtyre familjeve shqiptare në Greqi dhe rikthimin e pronave. Për sa i takon emigrantëve shqiptarë, që kanë shkuar në Greqi pas viteve 1990, mendohet se numri i tyre është mbi 400.000. Vala e emigracionit ekonomik nga Shqipëria në Greqi është një shqetësim i madh për Athinën. Disa raporte që mbrojnë të drejtat e njeriut kanë vënë në dukje në të kaluarën se ushtarë dhe policë grekë kanë ushtruar dhunë ndaj emigrantëve shqiptarë.

Jo vetëm shqiptarët, gjatë periudhës 1946-1949, kur Greqia ka qenë e përfshirë nga lufta civile, nga Greqia janë dëbuar edhe një pjesë e maqedonasve që jetonin në veri të vendit. Këta maqedonas të dëbuar u lejuan të vizitojnë e shikojnë pronat e tyre në Greqi vetëm në tetor të vitit 2003, pra pas rreth 55 vjetësh. Zyrtarët e partisë politike me emrin “Ylberi” (Rainbow), e cila përfaqëson pakicën maqedonase në Greqi, dhe disa mbrojtës të tjerë të të drejtave të njeriut tërheqin vëmendjen se minoriteti maqedonas në Greqi herë pas here provokohet, mbahet nën vëzhgim e monitorohet dhe kërcënohet nga forcat e sigurisë.

Edhe Turqit që jetojnë në zonën e Trakisë Perëndimore në verilindje të Greqisë dhe që numërojnë rreth 120 mijë, vazhdojnë të ngrenë problemet e tyre të ndryshme. Edhe pse ka pasur disa zhvillime pozitive në praktikat ndaj Turqve të Trakisë Perëndimore në periudhën pas viteve 1990, problemet e kësaj pakice vazhdojnë ende. Problemet kryesore në Trakinë Perëndimore mund ti rendisim në këtë mënyrë: problemi i mospërdorimit të emrit “Turk”, problemi i myftinisë, problemi i arsimit, problemet në lidhje me të drejtat politike, problemet e shtetësisë dhe e drejtën për një gjykim të drejtë si dhe probleme të fushës ekonomike.

Shembulli i Greqisë tregon se shtetet e Ballkanit vazhdojnë ti shikojnë ende me dyshim pakicat dhe të besojnë se pakicat e tyre orientohen nga vendet kryesore. Ndërkohë që për sa kohë që nuk do të ndryshojë ky koncept dhe pakicat nuk do të vlerësohen si pasuri kulturore, Ballkani do të vazhdojë të përmendet për problemet me pakicat.

Autor: Dr. Erhan TÜRBEDAR

Shqipëroi: Serdar HÜSEYNİ

TRT

Aktualitet

Archives