Ballkani dhe arratisja nga identiteti ballkanik

Paragjykimi i përhapur që Ballkani nuk është pjesë e qytetërimit perëndimor, vonesat në integrimet evropiane i shtyjnë vendet e këtij rajoni drejt një arratisjeje nga ‘identiteti ballkanik’.

Ballkani në histori njihet si rajoni më i trazuar i kontinentit evropian dhe përmendet madje edhe si “fuçi baruti”. Në vetëdijen e vendeve perëndimore, Ballkani në përgjithësi ka zënë vend për konflikte, dhunë dhe vrazhdësi. Përveç kësaj, fjala Ballkan edhe pse është emri i një rajoni gjeografik, përdoret edhe për t’iu referuar një identiteti të ndryshëm politik dhe kulturor. Ndërkohë që nga ana tjetër, vendet e Ballkanit e mohojnë ekzistencën e një identiteti të veçantë ballkanik dhe përpiqen ta tregojnë veten si një pjesë integrale e botës perëndimore dhe qytetërimit perëndimor.

Gjeografia e Ballkanit nuk ka pasur një emër të përbashkët deri në fillim të shekullit të 19-të dhe është përmendur me emra të ndryshëm. Ai që e ka përdorur për herë të parë këtë emër (Ballkan) është gjeografi gjerman August Johann Zeune, i cili duke u frymëzuar nga Malet Ballkanit, të cilat e ndajnë horizontalisht në dy pjesë Bullgarinë, e emërtoi rajonin në vitin 1809 si rajoni i Ballkanit. Më pas, përdorimi i fjalës ‘Ballkan’ u përhap si një emër rajoni. Vetëm se çështja se ku fillojnë e mbarojnë kufijtë e Ballkanit është edhe sot e paqartë. Me fjalë të tjera, nuk ka një konsensus në mesin e autorëve të ndryshëm mbi atë se cilat vende duhet të përfshijë koncepti Ballkan. Megjithatë, paqartësia e kufijve të gjeografisë ballkanike nuk përbën ndonjë problem. Problemi qëndron tek paragjykimet që i ngarkohen fjalës Ballkan në nivelet kur i referohen kësaj fjale për të shprehur një identitet të ndryshëm politik dhe kulturor.

Koncepti “Ballkan” në vendet perëndimore përmban elementë mjaft negativë. Para së gjithash, është i përhapur paragjykimi që Ballkani nuk është pjesë e qytetërimit perëndimor. Jo vetëm osmanët, por edhe bizantinët për shkak të elementeve të tyre kulturorë dhe fetarë janë perceptuar si “të tjerët” e Evropës. Udhëtarët perëndimorë, që e kanë vizituar Ballkanin në shekullin e 19-të, në kujtimet e tyre e kanë përshkruar rajonin si diçka të ndryshme, të çuditshme dhe jo mjaft të civilizuar. Nga ana tjetër, një pjesë e konsiderueshme e literaturës ballkanike në vendet perëndimore është zhvilluar në periudhat kur rajoni ka qenë i përfshirë nga krizat. Kjo është arsyeja pse perëndimorët vazhdojnë ta rikujtojnë Ballkanin si një rajon, ku urrejtja etnike me një të kaluar shekullore është përherë e gjallë; përveç kësaj ata e shikojnë Ballkanin si një rajon të prapambetur në aspektin ekonomik, kulturor dhe politik dhe që kërcënon sigurinë e Evropës. Ballkani tregohet si një element kërcënues madje edhe në romanet dhe filmat perëndimorë.

Shprehja “Ballkanizim”, e cila u shpik me Luftërat Ballkanike të viteve 1912-1913, tregon se Ballkani perceptohet si një problem më vete. Në periudhën e Luftës së Ftohtë, me ndikimin edhe të perceptimeve ideologjike, Ballkani u pa si një rajon totalitar dhe komunist që qëndronte përballë Perëndimit demokratik dhe kapitalist. Luftërat e viteve 1990 në ish-Jugosllavi e bënë sërish të popullarizuar fjalën “ballkanizim”, duke shkaktuar ringjalljen e paragjykimeve mbi këtë rajon. Sipas historianes ballkanike, Maria Todorova, fjala “ballkanizim” në kuptimin e saj të ri theksonte ‘shpërbërjen e shteteve të mëdha’, si dhe një mënyrë jetese të bazuar në prapambetje, primitivizëm dhe barbarizëm.

Përveç ekzistencës së paragjykimeve negative në lidhje me Ballkanin, në vitet ’90-të kur procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian vazhdonte në drejtim të Evropës Lindore, vendet e Ballkanit Perëndimor nuk zinin vend as në fund të bishtit të anëtarësimit në Unionin Evropian. Të gjitha këto si të thuash nxitën një arratisje nga identiteti ballkanik. U veprua me një koncept të tillë, sikur brenda Bashkimit Evropian nuk kishte vend për ata që mbanin identitetin ballkanik. Por ana interesante e çështjes është se, disa vende të rajonit, ndërsa nënvizonin “evropianizimin” e tyre, vendet fqinje vazhduan ti akuzojnë si “Ballkanike”. Për shembull, kur Sllovenia bënte përpjekje për të fituar një vend në Bashkimin Evropian, ajo jepte mesazhin: Unë jam evropiane, kurse Kroacia nuk është”. Retorika të ngjashme Kroacia i përdori ndaj Serbisë, kurse Serbia i zhvilloi kundër Bosnjë-Hercegovinës.

Kroacia, pavarësisht se sot është një vend anëtar i Bashkimit Evropian, ajo vazhdon të argumentojnë se nuk është një shtet ballkanik, duke e arsyetuar këtë me fakte kulturore dhe historike. Në mënyrë të ngjashme, nuk pranojnë të përkufizohen si një vend ballkanik edhe Rumania me Slloveninë. Dhe për të shpëtuar nga identiteti ballkanik, disa popuj ballkanas në periudhën pas vite 1990 zhvilluan një mënyrë të re për shkrimin e historisë. Në këtë kuadër u bënë përpjekje për ta trajtuar veçmas historinë lidhur me zhvillimin e identitetit të tyre kombëtar nga zhvillimi historik i identitetit të fqinjit.

Kur është fjala për turqit, shkrimi i historisë në Ballkan bëhet edhe më problematik. Duke qenë se shtetet e Ballkanit e fituan pavarësinë pas kryengritjeve që ata bënë kundër Shtetit Osman, identitetet e tyre kombëtare u zhvilluan në mënyrë që të përmbajnë gjykime negative në lidhje me Shtetin Osman dhe vlerat e tij. Kjo është arsyeja pse edhe sot, nacionalistët në vendet e Ballkanit janë të prirur të akuzojnë herë pas here periudhën osmane për gabimet dhe fatkeqësitë në vendet e tyre.

Autor: Dr. Erhan TÜRBEDAR

Shqipëroi: Serdar HÜSEYNİ

Aktualitet

Archives