Trump pret Merkel në Uashington

Kancelarja gjermane Angela Merkel takon sot në Uashington Presidentin amerikan Donald Trump me tregtinë transatlantike dhe NATON në krye të axhendës së bisedimeve.

Trump ka ngjallur shqetësim në Gjermani pas kërcënimit të prodhuesve të automjeteve me rritje tarifash dhe kërkesën drejtuar Berlinit për shtimin e shpenzimeve të mbrojtjes.

Nuk është rastësi që Merkelin e shoqërojnë në këtë vizitë drejtues të lartë të kompanive gjermane, Siemens, Schaeffer dhe gjigantit të makinave, BMW.

Me politikën e tij të tregtisë së jashtme, Donald Trumpi mund të shkaktojë një luftë ndërkombëtare tregtare. Kjo është frika më e madhe që mundon shumë ekonomistë pas ardhjes së tij në pushtet.

Deri më tani nuk ka ndodhur gjë, por shumë deklarata të Presidentit të ri të SHBA shkojnë sipas në një drejtim të qartë, që është izolimi nga ekonomia botërore.

Të dhënat e zyrës federale të statistikave në Berlin tregojnë se firmat gjermane shitën vitin e fundit në SHBA mallra në vlerë prej 107 miliardë dollarësh. Kjo shumë është dyfishi i asaj që u importua nga Amerika.

Aktualitet

Archives