Protestë deri në dorëheqjen e Ramës.

Protesta e opozitës përpara Kryeministrisë ka hyrë në ditën e saj të 23-të sot. Ndërkohë që priten lëvizje të rëndësishme në kabinetin qeveritar, shkarkime të disa ministrave, protesta këmbëngul vetëm në krijimin e një qeverie teknike që do të përgatisë zgjedhjet e 18 qershorit.

Kryetari i PD-së, Basha, do të vazhdojë dhënien e mesazheve në çadrën e protestës për të gjithë qytetarët dhe sot parashikohet që të zhvillojë një bashkëbisedim me karikaturistin e njohur Bujar Kapexhiu.

Lajmin e përhapur në media dje për shkarkimin e ministrit Saimir Tahiri nga kryeministri, Basha e priti me fjalët: “Ne nuk jemi ngritur për koka turku. Jemi ngritur për të siguruar për shqiptarët, sot e mot, standardin europian të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Zgjedhje të lira dhe të ndershme me një kryeministër garant të krimit dhe të drogës nuk mund të ketë. Lajmi i shkarkimit të Tahirit është një truk për t’i hedhur hi syve shqiptarëve, për t’i hedhur hi syve opinionit ndërkombëtar, për t’i shpëtuar përgjegjësive.

Çfarëdo prapaskenash të kurdisin mesazhi ynë është një dhe i pandryshuar: qëndresa jonë është e vendosur deri në krijimin e një qeverie teknike që do bëjë detyrat para shqiptarëve dhe para Europës”

Aktualitet

Archives