Erdoan dhe Putin pas mbledhjes së Këshillit të Bashkëpunimit me Nivel të Lartë

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) nënvizoi se tashmë nuk duhet të pranohet se një organizatë terroriste nuk mund të eliminohet me një tjetër organizatë terroriste.

Këshilli i Bashkëpunimit me Nivel të Lartë Turqi-Rusi përfundoi në Moskë, kryeqytetin e Rusisë.

Pas mbledhjes, Presidenti Rexhep Tajip Erdoan dhe kryetari i shtetit të Rusisë Vladimir Putin, dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Presidenti Erdoan tha se për arritjen në sukses të procesit të Gjenevës për zgjidhjen e problemit të Sirisë  duke filluar nga regjimi të gjitha palët duhet të punojnë me sinqeritet.

“Si një vend që kemi 35 vjet që luftojmë kundër terrorit, organizata të tilla terroriste duke filluar nga DAESH-i, PYD, YPG e El Nusra janë gjithmonë përballë nesh. Ka një rëndësi të madhe që ne (Turqia dhe Rusia) të veprojmë në bashkëpunim të ngushtë në luftën kundër terrorizmit. Qëndrimin e vendosur që kemi treguar kundër DEASH-it në Siri duhet ta tregojmë edhe kundër organizatave të tjera terroriste. Nga kjo pikëpamje presim që në Moskë t’i jepet fund kryesisht aktiviteteve të PYD-së, krahut PKK-së në Siri”.

Ai bëri të ditur se Turqia është për tërësinë territoriale të Irakut dhe Sirisë dhe shtoi se në operacionin “Mburoja e Eufratit” në lidhje me Menbixhin që është objektivi i radhës pas El Babit, dëshirojnë të bashkëpunojnë me forcat e koalicionit.

Ai u shpreh edhe për marrëdhëniet Turqi-Rusi dhe veçanërisht në fushën e turizmit kërkojnë që këtë vit të shënojnë një shifër rekord.

“Unë që këtu ftoj miqtë tanë rusë në vendin tonë. Le të vijnë dhe të shohin edhe ata bukuritë historike, turistike, kulturore të Turqisë”.

Presidenti Erdoan tha gjithashtu se “Fondi i Përbashkët i Investimit Turko-Rus” i krijuar me një kapital prej 1 miliardë dollarësh është një hap i fuqishëm për përforcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Edhe Kryetari i Shtetit të Rusisë, Vladimir Putin dha sihariqin se do të heqin pengesën e vizave për kompanitë turke që kanë aktivitet ë Rusi.

“Së shpejti do të hiqen pengesat ndaj lejeve të punës për nënshtetasit turq, do të hiqen pengesat ndaj kompanive turke dhe do të lehtësohen vizat. Për këtë është marrë një vendim politik. Kjo do të zbatohet sa më parë” tha Putin.

“Duke theksuar se ka një potencial të rëndësishëm për të përmirësuar marrëdhëniet mes Turqisë dhe Rusisë tha se “dy vendet nuk mjaftohen vetëm me kompensimin e humbjeve, por në të njëjtën kohë mund të avancojnë në një nivel të ri marrëdhëniesh, kjo është ajo që dëshiron edhe Moska ” u shpreh Putin.

Ndërsa duke u prononcuar për projektin e centralit nuklear Akkuyu, Putin tha “Rasatom po zhvillon projektin e Akkuyu i cili do të jetë centrali i parë me fuqi nukleare i Turqisë. Kompanitë ruse marrin pjesë në projektet e modernizimit të centraleve hidroelektrike të Turqisë. Kemi mundësinë që të thellojmë bashkëpunimin në fushat industriale, automobilistike dhe bujqësore. Dy vendet duhet të zhvillojnë gjithashtu edhe bashkëpunimin në fushën e biznesit, në shkencë, inovacion dhe teknologji.”

Putin iu përgjigj edhe pyetjes së gazetarit në lidhje me ndarjen e informacioneve të agjencisë sekrete ndërmjet Turqisë dhe Rusisë.

“Ne vlerësojmë bashkëpunimin e njësive tona të informacionit. Ne dënojmë çdo lloj veprimtarie terroriste çfarë do qoftë qëllimi i tyre” tha Kryetari i Shtetit të Rusisë, Vladimir Putin.

Aktualitet