Basha : Nuk do të ketë bojkot, por zgjedhje të lira

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha hedh poshtë mundësinë e bojkotit të zgjedhjeve nga ana e opozitës.

Në ditën e 21 të protestës nga çadra e vendosur pranë Kryeministrisë, ai tha se nuk do të ketë bojkot, por zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Ky qëndrim i mesditës së sotme, vjen pas zërave për bojkot në zgjedhje, pasi partitë e opozitës vendosën të mos regjistrohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

“Sot në KQZ partitë opozitare do të dorëzojnë ultimatumin me shkrim për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe republikë të re. Kush i fryn borisë që bojkotit gabohet rëndë. Nuk do të ketë bojkot, do ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Me hapin e sotëm opozita shqiptare provon luajalitetin tonë ndaj kauzës së qytetarëve shqiptarë për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, u shpreh Basha.

Ai nënvizoi më tej se në kushtet e kriminalizimit, në kushtet e drogës, dhe të mungesës totale të reformës zgjedhore dhe të sabotimit të reformës në drejtësi nga ata që kanë frikë nga drejtësia e vërtetë, ka vetëm një zgjidhje qeveri teknike, largimi i Edi Ramës dhe kabinetit të krimit.

Aktualitet

Archives