Media serbe fajëson ‘terroristët’ shqiptarë për krizën në Maqedoni

Kriza politike në Maqedoni ka marrë vëmendje të madhe në Serbi, ku media pranë qeverisë po i akuzon shqiptarët etnikë, kryeministrin Edi Rama dhe presidentin Thaçi si planifikuesit e strategjisë së “Shqipërisë Etnike”.

Mediat në Serbi po e ndjekin krizën në Maqedoni me interes të madh, duke ia hedhur fajin në mënyrë agresive të së ashtuquajturës “Platforma shqiptare” – një grupi kushtesh të shqiptarëve për pjesëmarrjen e tyre në çdo qeveri të re në Maqedoni.

Një nga pikat kryesore të shqetësimeve të platformës është zgjerimi i përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe.

Por çështja që ka shkaktuar reagim të ashpër në Serbi është kërkesa e platformës që parlamenti i Maqedonisë të dënojë “gjenocidin kundër shqiptarëve në Maqedoni”, nga viti 1912 në 1956, kohë kur Serbia e mori Maqedoninë nga Perandoria Osmane.

“Shqiptarët planifikojnë përplase të përgjakshme”, “Terroristët Shiptar [një fjalë fyese për shqiptarët]” dhe “Mercenarët e Sorosit”, janë vetëm disa nga titujt e gazetave dhe portaleve serbe që kanë mbuluar ngjarjet në Maqedoni së fundmi.

Vecernje Novosti që zotërohet nga shteti të dielë akuzoi partinë kryesore shqiptare në Maqedoni, Bashkimin Demokratik për Integrim, BDI, se ka futur “një platformë tiranike” në negociatat për t’iu bashkuar një qeverie të re.

Platforma Shqiptare, sipas Novosti, mund të çojë “në një seri lëvizjesh që do të përçajnë Maqedoninë në linja etnike, në kantone ose njësi federale”.

Kriza politike e Maqedonisë ka përshkallëzuar që nga zgjedhjet e dhjetorit që dështuan në nxjerrjen e një fituesi të qartë.

Zoran Zaev, lideri Social Demokratëve të opozitës, LSDM, po këmbëngul për një mandat për të formuar qeverinë pasi ka një shumicë në parlament.

Por presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, ka refuzuar t’ia japë atij mandatin, duke pretenduar se pranimi i Platformës shqiptare rrezikon ekzistencën e Maqedonisë.

Mbështetës të LSDM dhe VMRO DPMNE kanë organizuar protesta pothuajse të përditshme në rrugë duke e akuzuar njëri-tjetrin për tensione.

Në komentin e publikuar të hënën në të përditshmen serbe Politika, një deputet nga Partia Progresive Serbe, Miroslav Lazanski, tha se duheshin mbajtur zgjedhje të parakohshme si e vetmja mënyrë për të dalë nga kriza, ndërsa fajësoi shqiptarët për kërkesa të ekzagjeruara.

Ai tha se pranimi i Platformës Shqiptare do të ishte njëlloj sikur “Maqedonia të kapitullonte” dhe e akuzoi Perëndimin për hipokrizi në lidhje me mbështetjen ndaj SDSM për të formuar një qeveri në koalicion me partitë shqiptare. “Çfarë hipokrizie, hipokrizi e paparë!,” shkroi të hënën Lazanski.

Versioni serb i Sputnikut rus të dielën citoi akademikun Kaplan Buroviç ndërsa thoshte se shqiptarët “duan të gjithë Ballkanin dhe Europën”.

E përditshmja Blic, e konsideruar si pranë Partisë Progresive në Serbi, të premten publikoi një deklaratë nga ish-presidenti maqedonas Kiro Gligorov që thoshte se “do të ishte naive të besohej se shqiptarët e bënë këtë plan që nga zgjedhjet.

“Është një strategji më e gjerë politike, e bërë në Tiranë dhe e vulosur në Prishtinë. Krijuesit e saj ishin [kryeministri shqiptar] Edi Rama dhe [presidenti i Kosovës] Hashim Thaçi,” tha Gligorov.

Gazeta proqeveritare Informer ndërkohë shkroi në mënyrë më agresive “Shiptarët po kërcënojnë Maqedonin më luftë”, duke e akuzuar kryeministrin Rama dhe Thaçi se kanë kërkuar kryengritje të shqiptarëve në Maqedoni.

Informer të shtunën publikoi një foto të Zaev krah atij që e quajti “terrorist shiptar” Bekim Aliut, i cili dyshohet se qëlloi ndaj policisë dhe qytetarëve maqedonas gjatë një përleshjeje të armatosur në Kumanovë të Maqedonisë.

Informer të dielën pretendoi se shqitparët nuk kishin hequr dorë nga plani i “Shqipërisë etnike” dhe kryeredaktori Dragan Vuciceviç shkroi në një opinion të njëjtën ditë se Serbi duhet të mësojë “nga pësimet e Maqedonisë” dhe të mos e lejojë NATO-n të komandojë Serbinë, të personifikuar në kandidatët e opozitës për postin e presidentit serb, që tha se donte “të shkaktonte një revolucion shumëngjyrësh” me ndihmën e “ambasadorëve perëndimorë”.

Termi “revolucion shumëngjyrësh” i referohet revolucionit “portokalli” në Ukrainë dhe atij “rozë” në Gjeorgji.

Aktualitet

Archives