Sulmohet Muzeu i Manastirit, thyhen xhamat, u tentua të digjej

Në 130 vjetorin e shkollës së parë shqipe është sulmuar Muzeu i Manastirit në Maqedoni.

Mediat në Maqedoni raportojnë se katër persona të maskuar kanë tentuar ti vënë flakën mëngjesin e sotëm Shtëpisë së Alfabetit në Manastir.

“Policia e Manastirit ka siguruar kamerat e sigurisë dhe një shishe molotovi e ka nisur për ekspertizë kriminalistike në Shkup, që të mund të sigurohen provat e nevojshme për kryerësit e veprës. Është kyçur edhe sektori i krimit të organizuar dhe shërbimet e sigurisë dhe kundërzbulimit. Është urdhëruar edhe hapja e verifikimeve operative dhe plan operativ”, kanë theksuar nga MPB për Zhurnal.

Ndërkohë, drejtori i Muzeut të Alfabetit të gjuhës shqipe në Manastir, Nuer Arsllani, ka deklaruar se fatmirësisht autorët e sulmit nuk kanë mundur të djegin ndërtesën, por kanë thyer vetëm xhamat e dritareve.

 “Po në orët e hershme të mëngjesit diku rreth ora 4, disa persona të panjohur kanë dashur që me anë të koktejve të molotovit të djegin muzeun e Alfabetit të gjuhës shqipe, mirëpo për fat të mirë nuk është djegur, koktejtë janë shuar, dhe kemi vetëm dy dritare të thyera dhe kjo është e gjitha. Në mëngjes kemi informuar policinë, kanë ardhur, dhe po e hetojnë rastin dhe për momentin presim edhe nga Shkupi të vijnë ndonjë ekip eskpertësh që të kryejnë inspektim”.

Aktualitet

Archives