Të mësuar me medaljet e shumta, shqiptarët janë treguar indiferent ndaj suksesit të Izmir Smajlaj, që pas kthimit të tij nga Beogradi me medaljen e artë në qafë është pritur vetëm nga familjarët dhe shokët e tij.

Në mbërritjen e kampionit të Europës në kërcim së larti në salla të mbyllura, mungonin titullarët e Ministrisë së Sportit apo edhe tifozët për të uruar atletin për këtë rezultat historik.

Megjithatë 24-vjeçari shkodran është shfaqur i emocionuar duke ia dedikuar të gjithëve këtë arritje historike.

“Falenderoj të gjithë, familjen time dhe shokët e mi. Kisha besim tek vetja dhe kjo ishte një garë e fortë. Sot jam i emocionuar kur shoh të gjithë shokët këtu. Medalja shkon për të gjithë shqiptarët”.

Suksesi i Smajlajt mer një jehonë akoma më të madhe pasi disiplina e kërcimit së larti është një garë që prej vitesh nuk po nxjerr atletë elitarë.

Izmiri tregon axhendën e përgatitjeve të tij përpara këtij evenimenti, si dhe fton shtetin shqiptar të kthejë sytë nga atletika, madje duke bërë edhe një premtim.

“Jam stërvitur për 4 javë në Stamboll dhe më pas në ‘Loro Boriçi’, shpresoj të bëhet më mirë. Falenderoj shtetin që ktheu sytë nga atletika, por nëse bën akoma më shumë premtoj se do të jem kampion bote”.

Suksesi i Smajlajt ka qenë diçka e parandjerë nga trajneri i tij, Vildan Tufi, që e priste një kërcim mbi 8 metra.

“Kam besuar gjithmonë tek Izmiri, madje dikujt i dukej e pamundur kur kam thënë se do kërcejë mbi 8 metra”.

Në muajin gusht zhvillohet në Londër kampionati Botëror i Atletikës, evenimenti më i rëndësishëm pas Lojërave Olimpike. Presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergji Ruli shprehet optimist se nga Britania mund të vijë një tjetër medalje për Smajlaj.

“Nëse do të stërvitet mirë, do të dalë kampion Bote në Londër. Izmiri i ka mundësitë për të marrë medalje në Londër”.

Aktualitet

Archives