Mogerini raporton sot për vizitën në Ballkan

Ajo vizitoi 6 shtetet që synojnë të anëtarësohen në bllok, ku gjeti kriza politike dhe tensione me sfond etnik. Në Shqipëri, Euractive përmend qëndrimin e Mogerinit në kohën kur opozita po bojkoton Parlamentin, duke sfiduar apelin e BE-së që të mos pengojë miratimin e reformës në drejtësi, thelbësore për hapjen e bisedimeve me BE-në, ku citohet deklarata e saj e qartë se ata që kërkojnë të vonojnë reformat kyç po rrezikojnë axhendën e integrimit. Komente të cilat u kundërshtuan nga Basha me fjalët: “BE t’i mbajë për vete broçkullat”, citon Euractiv.

Përveç Shqipërisë, kudo ku shkoi Mogerini gjeti kriza për të cilat fajësohet ndikimi rus në Ballkan, që nga tentativa për grusht shteti në Mal të Zi, tensionet në Kosovë dhe refuzimi i Ivanovit në Maqedoni për t’ia dhënë mandatin një lideri të mbështetur nga parti shqiptare.

Sipas portalit Euractive, duket se për herë të parë raportimi i saj nuk do ta vërë theksin te përparimi që këto 6 shtete kanë bërë në rrugën drejt BE-së, por tek rreziqet gjeopolitike që kërcënojnë rajonin. Ky portal thotë se shumë liderë europianë janë të shqetësuar për situatën në Ballkan, duke fajësuar Rusinë se po përpiqet të destabilizojë rajonin.

Një raport më i plotë do të paraqitet në samitin e BE-së më 9 dhe 10 mars, ndërkohë që një takim kushtuar Ballkanit perëndimor do të mbahet në Trieste më 12 korrik. Sipas një drafti të deklaratës së përbashkët që do të dalë në samitin e javës së ardhshme, liderët europianë pritet të afirmojnë angazhimin e tyre në mbështetje të stabilitetit dhe thellimit të lidhjeve politike dhe ekonomike në rajon.

Aktualitet

Archives