Opozita gati për tryezë dialogu

Pas ftesës së mazhorancës për çdo tryezë dialogu që është e dëshirueshme për opozitën, vjen reagimi.

Koalicioni opozitar i drejtuar nga Lulzim Basha, pas takimit të mesditës së sotme, i përgjigjet pozitivisht ftesës për t’u ulur në tryezë dialogu, por këmbëngul në qeveri teknike.

Në qëndrimin e koalicionit opozitar, thuhet se duke vlerësuar momentin kritik për Shqipërinë dhe shqiptarët për shkak të kërcënimit të zgjedhjeve dhe të votës së lirë dhe të ndershme nga krimi dhe droga me lidhje qeveritare, shprehet gatishmëria për një tryezë dialogu të vërtetë dhe jo fasadë.

Opozita shprehet e gatshme për t’u ulur në tryezë me përfaqësuesit e partive të koalicionit qeveritar me qëllim krijimin e kushteve për zgje​dhje të lira e të ndershme, përmes një qeverie me mbështetje të gjerë politike që do të garantojë, “Zbatimin e plotë të ligjit të dekriminalizimit. Luftë efikase kundër narkotrafikut, krimit të organizuar dhe parave të drogës. Përgatitjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Zbatimin e reformës në drejtësi, sipas përcaktimeve kushtetuese të 22 korrikut”.

Më herët ditën e sotme, liderët e koalicionit qeverisës shprehën gatishmërinë për të dialoguar me përfaqësuesit e opozitës në Kuvend apo në çdo tryezë dialogu që është e dëshirueshme për opozitën.

“Koalicioni qeverisës është i gatshëm të dialogojë me opozitën për domosdoshmerinë e çuarjes përpara së reformave me interes kombëtar e publik, duke mirëpritur edhe çdo propozim konkret dhe realist të opozitës për procesin zgjedhor”, u tha në qëndrimin zyrtar pas takimit mes Kryeministrit Edi Rama dhe kryeparlamentarit Ilir Meta.

Aktualitet

Archives