Barça, triumfi ndaj Leganes shkruan historinë

Barcelona mposhti 2-1 ekipin e Leganes një natë më parë, por jo shumëkush mund të ketë vënë re faktin që e bën ekipin katalanas të futet në historinë e La Ligës.

Klubi “blaugrana”, i cili është i famshëm për akademinë prestigjioze “La Masia”, hodhi në fushë një formacion të pazakontë: me plot 10 të huaj.

Sergi Roberto ishte i vetmi spanjoll në 11-shen e titullarëve të Barçës, ndërkohë që ekipi “kozmopolitan” përbëhej më tej nga një gjerman, 3 francezë, një kroat, dy brazilianë, një uruguajan, një argjentinas dhe një portugez.

Kjo statistikë në fakt është disi “mashtruese”, pasi Messi dhe Rafinha, të cilët teknikisht konsiderohen si të huaj, në fakt kanë ardhur nga akademia e Barcelonës dhe dikur kanë qenë të disponueshëm edhe për të luajtur me Spanjën, pavarësisht zgjedhjes që kanë bërë për të përfaqësuar kombet e tyre.

Ndërkohë, në stolin e rezervave qëndronin të ulur 5 lojtarë të dalë nga “La Masia”, mes të cilëve edhe Andres Iniesta dhe Gerard Pique.

Ky rekord është shumë larg atij të vendosur në nëntor të vitit 2012, teksa gjatë fitores 4-0 të Barçës me Levanten, aktivizimi në minutën e 14 i Martin Montoya bëri që i gjithë formacioni i zbritur në fushë nga katalanasit e drejtuar në atë kohë nga i ndjeri Tito Vilanova, të përbëhej vetëm nga prodhime të akademisë.

Jordi Alba, Sergio Busquets, Pique, Iniesta dhe Messi janë të vetmit të “mbijetuar” nga formacioni i para 5 viteve, pasi tërheqjet nga futbolli të Carles Puyol dhe Xavit e kanë lënë Barcelonën me një boshllëk të madh për ta mbushur.

Aktualitet