Basha deklaron se nuk tërhiqet

Në ditën përkujtimore të rrëzimit të bustit të ish-diktatoit Enver Hoxha, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, takoi protestuesit e vendosur para çadrës së kryeministrisë.

Ai tha se ashtu si 26 vjet më parë, shqiptarët janë të gatshëm të vrasin frikën dhe të marrin fatin e tyre në dorë.

“Shqiptarët u ngritën në 20 shkurt dhe morën në dorë fatin e tyre, pasi nuk e pranonin dot demokracinë fasadë. Sot, kemi sërish demokraci fasadë. Demokracia fasadë është e keqja e të gjitha të këqijave. Ku ka demokraci fasadë, ka ekonomi fasadë, shëndetësi fasadë dhe bujqësi fasadë. Pas demokracisë fasadë fshihen kriminelë që sot janë bërë deputetë e kryetarë bashkish. Ndaj, jemi mbledhur këtu për të rinovuar mesazhin e madh popullor: shqiptarët nuk do të pranojnë më demokraci fasadë! Shqiptarët janë ngritur për demokracinë e vërtetë që arrihet vetëm përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme”, tha Basha.

Basha u bëri thirrje jo vetëm protestuesve të opozitës, por të gjithë shqiptarëve  se “ka ardhur koha të vrasim frikën dhe të marrin fatin tonë në duar. Vendimi i madh popullor është marrë dhe ne jemi të vendosur të mos pranojmë zgjedhje me këtë qeveri, por vetëm votim elektronik. Kjo qeveria e ka lidhur fatin e saj me kriminelët. Do vazhdojmë të kërkojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme pa Edi Ramën kryeministër. Ne nuk duam ‘kokën’ e Saimir Tahirit, por qeveri teknike”, – u shpreh Basha.

Aktualitet

Archives