Kryeprokurori Llalla takim me Metën

Kryeprokurori Adriatik Llalla shkoi sot në Kryesinë e Kuvendit, për të takuar kryeparlamentarin Ilir Meta.

Takimi i zgjatur për afro gjysmë ore, erdhi me kërkesë të Prokurorit të Përgjithshëm dhe një ditë pas përplasjes me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Donald Lu.

Mësohet se Meta me anë të një shkrese zyrtare i ka kërkuar kryeprokurorit informacion lidhur me procesin e përzgjedhjes së kandidaturave për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.

Përplasja mes Lu dhe Llallës ndodhi pasi diplomati amerikan akuzoi kryeprokurorin se nuk e do reformën në drejtësi.

Donald Lu deklaroi se kryeprokurori Llalla dhe prokurorët kanë 18 muaj që shprehen kundër reformës në drejtësi.

Kjo bëri që Prokuroria të dalë me deklaratë dhe të akuzojë ambasadorin amerikan për shantazh të paprecedentë, duke i thënë se, “nëse je mësuar të jesh zot në ambientet e politikës shqiptare, këtë nuk mund ta realizosh me institucionin e Prokurorisë”.

Ndërkohë ditën e djeshme kryeprokurori takoi edhe Presidentin Bujar Nishani.

Aktualitet

Archives