Kërkesa e Metës për Balilin, Nishani pranon të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare

Presidenti Bujar Nishani i përgjigjet pozitivisht letrës së kryeparlamentarit Ilir Meta, i cili kërkoi mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, lidhur me mosarrestimin e Klement Balilit.

Drejtori i kabinetit të Presidentit Ols Lafe, tha sot për mediat se kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, në cilësinë e anëtarit të Këshillit të Sigurimit Kombëtar i është drejtuar Presidentit të Republikës, Bujar Nishani për thirrjen në një kohë sa më të shpejtë të mbledhjes së Këshillit të Sigurimit Kombëtar, për çështjen “Balili”.

Lafe tha se kjo kërkesë vlerësohet serioze, pasi ajo paraqitet nga kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, si dhe për shkak të problematikave që parashtrohen, si rrezikshmëria e lartë shoqërore të shtetasit Klement Balili, përcjellë nga organet kompetente shqiptare apo ndërkombëtare.

Gjithashtu përmendi shqetësimin e partnerëve tanë të SHBA dhe të tjerë ndërkombëtarë, të cilët paraqesin rezerva në drejtim të punës së organeve tona përgjegjëse për shkak të mosndalimit të tij në kohë dhe zbatimit të detyrimeve të përcaktuara në akte ndërkombëtare dhe legjislacioni vendas.

Ndër të tjera u ndal në rrezikun që ekziston, nga mosveprimi i agjencive ligjzbatuese të vendit tonë, në drejtim të goditjes ndaj krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme apo dhe bazave të tyre që mund të kontrollohen nga njerëz të politikës dhe shtetit.

“Për këto arsye Presidenti i Republikës në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Sigurimit Kombëtar ka vendosur të thërrasë mbledhjen e Këshillit me qëllim dëgjimin e të gjitha argumenteve të parashtruara në kërkesë si dhe duke i analizuar dhe duke këshilluar me të gjithë anëtarët e Këshillit”, tha Lafe.

Ai shtoi se për datën dhe orën e mbajtjes së mbledhjes do ketë njoftim në ditët në vazhdim.

Aktualitet

Archives