Promocioni 2016 mban emrin “Rauf Fico”, promotor i të parit ligj organik për shërbimin e jashtëm

10 diplomatët e rinj, të cilët u shpallën fitues të konkursit dhe qëndruan 1 vit në periudhë prove, nga dita e sotme kanë privilegjin dhe nderin të jenë pjesë e shërbimit të jashtëm shqiptar, duke kryer ceremoninë solemne të betimit mbi Flamur dhe Kushtetutë.

Kryediplomati Ditmir Bushati shkruan në rrjetet sociale se promocioni 2016 mban emrin “Rauf Fico”, diplomatit të shquar dhe ish Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, promotorit të të parit ligj organik për shërbimin e jashtëm. Atdhetarit që refuzoi bashkëpunimin me qeverinë kuislinge.

Po në ambientet e ministrisë së Punëve të Jashtme, në vazhdim të punës për të evidentuar dhe bërë të njohura vlerat më të mira atdhetare, profesionale dhe intelektuale të personaliteteve të ndryshme që lanë gjurmë në historinë e diplomacisë shqiptare, si dhe në kuadër të Ceremonisë së Betimit të diplomatëve të rinj, “Promocioni 2016”, Drejtoria e Arkivit Historik dhe Dokumentacionit organizoi një ekspoze me dokumenta origjinale arkivore mbi aktivitetin diplomatik të Rauf Ficos (1881–1944).

Ndërkohë, mentori i promocionit 2016 është një tjetër personalitet, diplomat dhe profesor i së drejtës ndërkombëtare publike, Ksenofon Krisafi.

Ministri Bushati ju uron suksese “Amandës, Arbrit, Enianit, Ervisit, Elindës, Idlirit, Ervinit, Fjoralbës, Orianës dhe Rianës në misionin e tyre fisnik në shërbim të vendit me devotshmëri dhe përkushtim!”.

Aktualitet

Archives