Rama pajtohet me Shpëtim Gjikën, ja detyra që i ka ngarkuar në parti

Shpëtim Gjika rikthehet në Partinë Socialiste me një detyrë të rëndësishme politike. Pas disa takimeve konsultuese me kryetarin e partisë, Edi Rama dhe drejtuesin politik të qarkut Vlorë, Damian Gjiknuri, Gjikës i është besuar detyra e koordinatorit politik për një nga strukturat më të rëndësishme në këtë rreth, Bashkinë e Selenicës dhe zonën e Lumit të Vlorës.

Ai do të punojë në këtë zonë me deputetin aktual Fatmir Toçi për forcimin e kapaciteteve drejt zgjedhjeve të 18 qershorit. Lidhja e Gjikës me këtë zonë është e fortë për shkak edhe të origjinës së tij prej andej. Ky vendim përbën kthesën e fortë të marrëdhënieve të ish-kryetarit të Vlorës prej 12 vjetësh.

Shenja se marrëdhëniet mes tij dhe Edi Ramës po zbuteshin, ishin dhënë nga kryetari i partisë që prej kohës kur Koço Kokëdhima u “divorcua” nga Partia Socialiste. Marrëdhëniet mes tyre ishin prishur në shkurt të vitit 2015, ku disa muaj para se të përfundonte mandati, Gjika u arrestua për shpërdorim detyre me lejet e ndërtimit.

Rama tha në një deklaratë publike se Gjikën e kishte mik, por nuk mund ta amnistonte. Gjika nuk u kandidua më për shkak të këtij procesi gjykimi nga i cili u shpall i pafajshëm më pas. Rikthimi i tij forcon pozitat e një kandidimi të mundshëm të Gjikës në listat e këtij qarku, ku Rama është shprehur se do ta kryesojë vetë garën përsëri, shkruan ‘shqiptarja.com’.

Aktualitet

Archives