Kuvendi i Shqipërisë hap sesionin e ri parlamentar

Të hënën. 16.01.2017 është hapur sesioni i ri parlamentar i Kuvendit të Shqipërisë për legjislaturën e VIII-të.

Gjatë fjalës së tij në hapje të seancës, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, u shpreh se viti 2016 është mbyllur me një bilanc të pasur për Kuvendin e Shqipërisë, duke iu referuar miratimit të ligjeve për reformën në drejtësi.

“Sesioni që fillon është shumë i rëndësishëm, për mbylljen me sukses të angazhimeve tona për gjithë këtë legjislaturë. Angazhimi më i rëndësishëm natyrisht që mbetet përfundimi sa më shpejt i reformës zgjedhore dhe miratimi i ndryshimeve në kodin zgjedhor për garantimin e zgjedhjeve ët lira. Inkurajoj punën e komisionit të posaçëm që të miratojmë sa më parë me konsensus ndryshimet në kodin zgjedhor”, u shpreh Meta.

Ai ka shtuar ndër të tjera se në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, roli i Kuvendit është i pazëvendësueshëm dhe ka theksuar se ky rol duhet të forcohet më shumë në përmbushjen e detyrimeve për hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.

Gjatë këtij sesioni pritet të zgjidhet edhe presidenti i ri i Republikës, para se të shpërndahet, pasi këtë vit mbaron edhe mandati i presidentit aktual Bujar Nishani.

Kujtojmë se ky do të jetë sesioni fundit për këtë legjislaturë, pasi më 18 qershor 2017 në Shqipëri do të mbahen zgjedhjet parlamentare.

Aktualitet

Archives