Kuvendi i Kosovës nuk miraton rezolutën ‘Haradinaj’

Të dyja rezolutat e prezantuara, një nga AAK dhe një nga PDK-LDK, nuk kanë arritur të marrin votat e nevojshme për të kaluar nga Kuvendi i Kosovës.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk miratuan asnjë nga dy rezolutat e propozuara në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, ku u zhvillua debati parlamentar në lidhje me mbajtjen në arrest të kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në Francë.

Pas një debati të gjatë, deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan për dy projektrezoluta, një të prezantuar nga kryetari i grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj dhe të mbështetur nga opozita dhe tjetrën të propozuar nga grupet parlamentare në pozitë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Të dyja rezolutat e prezantuara, një nga AAK dhe një nga PDK-LDK, nuk kanë arritur të marrin votat e nevojshme për të kaluar.

Ndërkaq, mosvotimi i këtyre projektrezolutave erdhi si përfundim i asaj që deputetët nuk arritën ta harmonizojnë një projektrezolutë të vetme, për arsye se pozita dhe opozita nuk u pajtuan me dy pikat e fundit të rezolutës së prezantuar nga deputeti Pal Lekaj, ku kërkohej ndërprerja e bisedimeve me Serbinë dhe dorëheqja ose shkarkimi i të gjithë përgjegjësve kryesorë të negociatave me Serbinë.

Në projektrezolutën e AAK-së, e cila përfshinte 5 pika kërkohej lirimi sa ma shpejt i Haradinajt, përfshirja direkte e Bashkimit Evropian (BE), përmes përfaqësueses së lartë për politikë të jashtme, Frederica Mogherini, në përshpejtimin e lirimit të Haradinajt nga shteti francez, si dhe kërkohej që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në informimin e institucioneve ndërkombëtare se, refuzon juridiksionin universal të Serbisë për krimet e pretenduara në tërë territorin e ish-Jugosllavisë. Ndërkaq dy pikat e fundit të kësaj rezolute përfshinin ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë, deri në anulimin e të gjitha fletë-arresteve të lëshuar nga Serbia kundër ish-udhëheqësve dhe ushtarëve të UÇK-së në Interpol si dhe dorëheqjen ose shkarkimin e të gjithë përgjegjësve kryesorë të negociatave me Serbinë.

Përfaqësuesit e PDK-së dhe LDK-së theksuan se nuk janë pajtuar për dy pikat e fundit, ndërsa i kanë dhënë mbështetjeje 3 pikave të para.

Rezoluta e AAK-së u votua nga 36 deputetë, ku 28 ishin pro, 3 kundër dhe 3 abstenuan, kurse ajo e PDK-LDK-së u votua nga 47 deputetë, e cila mori 38 vota pro, 6 kundër dhe 3 abstenime.

Mbajtja e kësaj seance të jashtëzakonshme u vendos në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Kuvendit, e cila u mbajt ditën e shtunë, ku u vlerësua se kërkesa me 43 nënshkrime të deputetëve, e prezantuar nga kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, i plotëson kushtet për të thirrur seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit.

Ish-kryeministri i Kosovës dhe ish-udhëheqës i UÇK-së, Ramush Haradinaj, i cili aktualisht është kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), më 4 janar u ndalua nga autoritetet franceze në aeroportin e Bazelit bazuar në një urdhërarresti të Serbisë të lëshuar në vitin 2004. Ai në vitin 2015 ishte arrestuar edhe në Slloveni dhe më pas ishte liruar. Ndërkaq Ministria e Drejtësisë e Serbisë ka dërguar kërkesën deri te organet e drejtësisë franceze për ekstradimin e Haradinajt, i cili që nga dita e ndalimit mbahet në paraburgim në Francë.

Aktualitet

Archives