Analizë – Segmentimi i islamit: Mësime nga shekulli i kaluar

Në vend të nxitjes së identiteteve opozitare, që krijojnë dikotomi absolute lehtësisht të manipulueshme nga ekstremistët e dhunshëm, myslimanët duhet të vendosin identitetet e tyre kombëtare, etnike dhe sektare në kontekstin e një baze më të lartë morale

Në vitin 1901, Edmond Fazy, redaktori i revistës koloniale franceze, “Questions Diplomatiques et Coloniales”, kërkoi mendimin e disa orientalistëve evropianë dhe administratorëve kolonialë për të ardhmen e islamit në shekullin e ardhshëm. Duke marrë parasysh se ne tani jetojnë pak më shumë se një shekull që kur kjo anketë interesante është bërë, disa nga përgjigjet e dhëna në atë kohë mbeten shumë domethënëse dhe të rëndësishme ende sot.

Këto përgjigje flasin shumë për mentalitetin e Evropës në atë kohë. Por ato gjithashtu hedhin dritë edhe mbi plagët që bota myslimane i ka shkaktuar vetes.

Ndër akademikët orientalistë që u janë përgjigjur pyetjeve të Fazy-së për të ardhmen bëjnë pjesë hungareziIgnac Goldziher, orientalisti gjerman Martin Hartmanndhe arabologu francez Edmond Douttée. Në përgjigjet e tyre, secili konfirmoi premisat themelore të orientalizmit klasik dhe hartën evropiane koloniale të shekullit të 19-të, se Islami është monolit, një traditë e vdekur, një qytetërim i kalbur dhe një botë kaotike politike-kulturore që ka nevojë për një “mision civilizimi”, i cili do të realizohet me ndërhyrjen e drejtpërdrejtë perëndimore. Në librin e tij me titull “Islami në Liberalizëm” (Islam in Liberalism), botuar në vitin 2015 nga shtëpia botuese e Universitetit të Çikagos (The University of Chicago Press) Joseph Massad ofron një analizë të mprehtë dhe kritike të kësaj qasjeje.

Në mesin e atyre që iu përgjigjën kësaj pyetjeje, Bernard Carra de Vaux, një akademik francez i filozofisë islame dhe një historian i shkencës dhe fesë, del në pah me analizën e tij bardhezi dhe me propozimin e tij të topitur. Parashikimi i Carra de Vaux-it për të ardhmen e Islamit në shekullin e ardhshëm kombinon elementet thelbësore të ekspertizës akademike dhe të perspektivës kolonialiste. Qëllimi kryesor i kësaj analize është të tregojë se si do të pengohet çdo kërcënim i mundshëm që do të vinte nga pan-islamizmi, i mbështetur nga Sulltan Abdylhamidi II dhe një numër intelektualësh dhe dijetarësh të kohës, dhe që do ti jepte fund dominimit evropian mbi botën islame.

Carra de Vaux e pranon se Islami mund të pajtohet me vlerat evropiane perëndimore të demokracisë dhe liberalizmit. Ai thotë se liberalizmi, çfarëdo që ai kupton nga ky koncept, “mund të hedhë rrënjë në Islam dhe këtë e ka bërë edhe më parë, duke marrë formën e tolerancës“.

Megjithatë, preokupimi kryesor i Carra de Vaux nuk ka qenë për të zhvilluar një teori të liberalizmit islamik apo të islamit liberal, por më tepër për të treguar rrugët që duhen ndjekur për të ruajtur dhe për të thelluar dominimin e Perëndimit mbi shoqëritë myslimane në shqisat politike dhe kulturore të termit.

Kolonizimi kërkon kohë, durim dhe ri-rregullimin e subjekteve të nënshtruara. Nëse Perëndimi do që të ketë sukses në kolonizimin e plotë të botës myslimane, atëherë Carra de Vaux sugjeron këtë: “ne duhet ta ndajmë botën Muhamedane dhe të thyejmë unitetin moral të saj duke përfituar nga ndarjet politike dhe etnike, që tashmë ekzistojnë brenda saj… “Ai besonte se dallimet politike, etnike dhe sektare duhen theksuar në mënyrë që ato të “rrisin ndjenjat kombëtare dhe të zvogëlojnë ato të komunitarizmit fetar“.

Konkluzioni i përgjithshëm që nxjerr Carra de Vaux, që kolonializmi evropian të ketë mundësi të arrijë qëllimin e tij për një dominim të plotë është se “kjo mund të arrihet vetëm duke shkatërruar unitetin e brendshëm të Islamit”. Në këtë frymë, ai bën propozimin e tij zyrtar: “Me një fjalë të vetme, ne duhet ta ndajmë Islamin në segmente. Atëherë ne mund të përfitojnë nga herezitë e tij dhe vëllazëritë [Sufi].” Nëse kjo zbatohet me kujdes, këto politika do ta “dobësojnë Islamin, do ti shkaktojnë atij kokëçarje, do ta mpijnë atë, dhe do ta bëjnë atë përgjithmonë të paaftë për të realizuar zgjimin e madh.”

Cilado qoftë vlera e parashikimeve të Carra de Vaux, fakti është se trashëgimia e kolonializmit dhe dominimit kulturor solli një segmentizim të Islamit dhe manipulimin e diversitetit të tij të brendshëm. Duke humbur integritetin e tyre intelektual dhe shpirtëror dhe duke qenë të ndara ndërmjet një të kaluare të lavdishme dhe një tashmeje të mjerueshme, shoqëritë myslimane as kanë ruajtur dot traditat e tyre, as nuk kanë qenë të suksesshme në modernizimin e vetes në pajtim me kulturat dhe civilizimet e tyre. Kolonializmi dhe imperializmi kulturor e bënë atë që pritej për të siguruar që dallimet e brendshme në botën myslimane të pengonin çdo lloj zgjimi të madh që mund të ketë sfiduar dhe/ose shqetësuar fuqitë e mëdha që dizenjojnë rendin e ri botëror.

Ndërsa na duhet ta pranojmë këtë trashëgimi të dëmshme të kolonializmit, ne gjithashtu duhet të shikojmë brenda dhe të pyesim se sa ka kontribuar me dëshirë bota myslimane për situatën aktuale, në të cilën ajo gjendet sot. Për shembull, tensionet sektare midis myslimanëve suni dhe shii po aq sa janë shkaktuar nga ndërhyrjet e fuqive botërore në vendet myslimane, po aq ato janë mbështetur edhe nga luftërat për pushtet dhe luftërat e autorizuara ndërmjet shteteve-kombe myslimane që interesin kombëtar e kanë vendosur mbi çdo gjë tjetër. Mungesa e vizionit, lidershipit (udhëheqjes) dhe mençurisë i zhyt të gjithë myslimanët në beteja të pafundme, nga të cilat të gjithë dalin të dëmtuar dhe të dobësuar, pavarësisht sektit, etnisë apo shtetësisë që kanë.

Në mënyrë paradoksale, globalizimi po forcon prirje të tilla si, shkrirja dhe kryqëzimi i identiteteve në mënyrë që të rikujtojnë nocionet shumë-shtresore të “ummetit” si një bashkësi e besimit dhe virtytit siç përcaktohet në traditën islame. Ishte botëkuptimi gjithëpërfshirës i ummetit ai që i dha Islamit klasik këndvështrimin e vet internacionalist dhe global në çdo gjë, duke filluar nga filozofia e arti e deri tek gjeografia e politika. Fryma kozmopolite në Islam ka ardhur nga brenda dhe jo nga jashtë, dhe ajo është përshkruar në mënyrë të rregullt nga Ibn al-Arabi si “uniteti në diversitet” (al-wahdah fi’l-kathrah) që qendërzon çdo gjë në nocionin e unitetit pa mohuar faktin e diversitetit. Ajo gjithashtu nënvizon faktin se bashkimi nuk është uniformitet dhe diversiteti nuk do të thotë kaos dhe parregullsi.

Sot myslimanët duhet ti dalin për zot këtij parimi themelor. Në vend të nxitjes së identiteteve opozitare, të cilat krijojnë dikotomi absolute që ekzistojnë në mendjet dhe emocionet e njerëzve në realitet dhe që manipulohen lehtë nga ekstremistët e dhunshëm, duhet që identitetet e tyre kombëtare, etnike dhe sektare ti vendosin brenda kontekstit të një morali më të lartë dhe bazamenti njerëzor që nga njëra anë ruan unitetin e brendshëm dhe integritetin e Islamit, dhe nga ana tjetër vazhdon opinionin e tij (Islamit) global dhe kozmopolit.  Kjo do të jetë antidota (kundërhelmi) më i mirë kundër ekstremistëve të tillë të dhunshëm si DAESH dhe al-Kaeda, si dhe kundër atyre që kërkojnë të rivizatojnë hartën e botës myslimane përgjatë vijave etnike dhe sektare.

Autor: Ibrahim Kalin – Ambasador dhe zëdhënës i Presidencës së Republikës së Turqisë

Shqipëroi: Serdar Huseyni .  TRT Shqip

Aktualitet

Archives