Femra e parë “top gun” në ushtrinë afgane kërkon azil në SHBA: Më rrezikohet jeta

Femra e parë  “top gun” në ushtrinë afgane kërkon azil në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme. Por Afganistani kundërshton duke thënë se ajo gënjen.

Kapitenia Niloofar Rahmani u bë e njohur në media në vitin 2013, pasi u bë e para pilote femër e aeronautikës afgane.

“Gjithmonë kam dëshiruar të bëhesha pilote, ishte ëndrra e tim eti”, thotë ajo, duke shtuar se synimi i saj ishte që të tregonte se në Afganistan fermat mund të bëjnë të njëjtat gjëra si meshkujt.

Rahmani u mor si shembull në SHBA, lidhur me situatën e femrave në Afganistan dhe në vitin 2015 u vlerësua me titullin “International women of courage award”, si shenjë mirënjohje për kurajon e treguar në karrierën e saj të shkurtër por mbresëlënëse.

Suksesi i fillimit të karrierës së saj u shoqërua më tej me kritika të shumta nga forcat e armatosura afgane, të pasuara me kërcënime për të dhe familjen e saj, e cila gjate viteve të fundit është detyruar të transferohet disa herë.

Një situatë aq e vështirë për të, sa siç shkruan noa.al, u detyrua të kërkoj azil në SHBA.

“Nëse kthehet në Afganistan jeta e saj rrezikohet”, deklaroi avokatja e saj Kimberly Motley, e cila shtoi se Rahmani gjatë vitit të fundit është stërvitur në bazat ushtarake amerikane në jug të SHBA.

Më tej ajo e cilëson si “një rreze dielli për femrat, emigrantët dhe myslimanët në gjithë botën”. Motley tregoi për CNN në një intervistë të këtyre ditëve, frikën e Niloofar për shkak të kërcënimeve të marra nga qeveria afgane, për shkak se kërkesa e saj për azil ka ngjallur polemika.

Nga ana e tij zëdhënës i ministrisë së Mbrojtjes afgane, gjeneral Mohammad Radmanish, thotë se ajo po gënjen vetëm për të marrë azil.

“U kërkojmë miqve amerikanë dhe qeverisë të refuzojnë kërkesën e saj për azil dhe ta dërgojnë në shtëpi, e vërteta është se jeta e saj nuk rrezikohen”, tha ai.

Në vijim shtoi se Niloofar thotë se është ngacmuar në vendin e punës nga kolegët, të cilët sipas saj, e kanë kërcënuar, por pretendon se nuk është aspak e vërtetë.

Niloofar Rahmani u bë femra e parë top gun në ushtrinë e Afganistanit që nga rënia e regjimit taleban në vitin 2001. Kur ishte vetëm 18 vjeç, ajo dëgjoi se ushtria rekrutonte pilotë, kështu pasi ndoqi disa kurse për anglisht u paraqit në fazën e përzgjedhjes.

Në vitin 2010 u bë pjesë e programit të formimit të “Air force” në Afganistan dhe pas dy vitesh mori kualifikimin. Pasi pilotoi një avion Cessna 182 kaloi në C-208 për transportin ushtarak. Gjatë karrierës së saj ajo është përballur me një sërë kërcënimesh me vdekje nga ana e talebanëve, të cilët e akuzonin për thyerje të kodit të sjelljes ndaj femrave, i cili i ndalon të punojnë dhe të bëjnë karrierë.

Aktualitet

Archives