Çdo shqiptar do paguajë nga 5 euro për të hyrë në Europë. Ja arsyeja

Kush kërkon që të hyjë në Europë në të ardhmen e afërt do të duhet të paguajë një taksë shtesë prej 5 euro. Të paktën këtë parashikon plani i ri i Bashkimit Europian për të shtrënguar disi kontrollin ndaj të huajve që hyjnë në rajon dhe që nuk kanë nevojë të pajisen me vizë.

Skema do të aplikohej menjëherë pas aprovimit nga parlamenti europian për qytetarët e dy shteteve, Shqipërisë dhe Serbisë, të vetmet vende europiane jo anëtare të bashkimit europian, qytetarët e të cilave udhëtojnë pa viza në vendet e unionit.

Vetëm shqiptarët dhe serbët do të preken menjëherë nga skema e re. Kjo taksë do të paguhet për një kontroll më të detajuar të dokumenteve dhe të identitetit të personave që kërkojnë të udhëtojnë.

Komisioni Europian shpreson se kjo strategji të parandalojë disi aksesin e militantëve të të ashtuquajturit shteti islamik, kriminelëve të ndryshëm apo edhe emigrantëve të jashtëligjshëm në rajon.

Sistemi i ri i kontrollit do të përmbajë taksën prej 5 euro në mënyrë që të jetë i vetë-financuar. Komisioni Europian vlerëson se kosto e skemës së re do të jetë pranë 200 milionë euro dhe rreth 85 milionë euro kosto mbarëvajtje çdo vit.

Skema e re do të mundësojë qytetarëve që në harkun e pak minutave të marrin një leje kalimi 5-vjeçare për të udhëtuar në këto vende. Skema është e ngjashme me ato të vendeve të tjera, si Shtetet e Bashkuara apo Kanadaja.

Aktualitet

Archives