Putin: Vrasja e ambasadorit, provokim ndaj marrëdhënieve të mira turko-ruse

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, deklaroi në orët e vona të së hënës se sulmi i armatosur kundër ambasadori rus në Ankara, Andrei Karlov, është një provokim në adresë të marrëdhënieve të mira, që Turqia dhe Rusia kanë zhvilluar në Siri.

Lideri rus theksoi se për këtë mund të ketë një përgjigje të vetme dhe ajo është përforcimi i luftës kundër terrorizmit.

Ai njoftoi se një hetim ka nisur urgjentisht në lidhje me këtë ngjarje dhe se një delegacion do të dërgohet në Turqi.

Vladimir Putin tha se fillimisht duan të mësojnë emrin apo emrat, të cilët fshihen pas këtij sulmi të armatosur, ndërsa urdhëroi rritjen e nivelit të sigurisë në të gjitha ambasadat ruse kudo në botë.

Karlovi – vijoi kreu i shtetit rus – u nda nga jeta në krye të detyrës, prandaj i dhashë menjëherë direktivë Ministrisë së Punëve të Jashtme për ta vlerësuar dhe nderuar ambasadorin e ndjerë me medalje shtetërore.

Maria Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, nënvizoi nga ana e saj se atentatin kundër ambasadorit të tyre në Ankara e shikojnë si një sulm terrorist.

“Ne e quajmë këtë ngjarje një akt terrorist. Terrorizmi nuk do të fitojë. Ne do ta luftojmë atë fuqishëm”, tha ajo.

Ndërsa Frantz Klintsevich, senator i lartë dhe nënkryetar i Komitetit të Mbrojtjes dhe Sigurisë së Federatës Ruse, deklaroi se sulmi ndaj ambasadorit Karlov ishte një veprim i planifikuar.

“Incidenti në Ankara ishte një veprim i planifikuar. Të gjithë e dinin se ai do të merrte pjesë në këtë ekspozitë fotografike. Ajo që ka ndodhur është një provokim i vërtetë, një sfidë. Kjo është një sfidë për Rusinë. Organet turke të sigurisë do ta hetojnë rastin së bashku me ekspertë rusë dhe do ta zbardhin çështjen”, sqaroi ai.

Klintsevich tërhoqi vëmendjen se kundërshtarët strategjikë të Rusisë shpresojnë të përfitojnë nga kësisoj aktesh terroriste.

“Por ne duhet t’i zgjidhim problemet tona në kuadër të marrëdhënieve të mira fqinjësore. Ne duhet t’i ruajmë këto marrëdhënie në çdo rast dhe situatë”, theksoi nënkryetari i Komitetit të Mbrojtjes dhe Sigurisë së Federatës Ruse.

Kurse Leonid Slutsky, kryetar i Komitetit të Dumës Shtetërore për Çështjet Ndërkombëtare, tha se sulmi kundër ambasadorit rus në Ankara nuk do të prekë marrëdhëniet turko-ruse.

Aktualitet

Archives