“Në gjurmët e Resulull-llahut (a.s)…”, me nxënësit e Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”

Në vazhdën e serisë së aktivitetve 14 ditore, në përkujtim të Lindjes së Begatë të Hz. Muhammedit (a.s), dërgesës së tij, mesazhit hyjnor dhe mësimeve universale, me të cilat u dërgua si Vula e të dërguarve të All-llahut, paraditën e së martës, më 13 dhjetor 2016, Mfyinia Shkodër organizoi një tribunë fetare me nxënësit e Medrsesë “Haxhi Sheh Shamia”, dega djem.

Boshti kryesor i këtyre tubimeve të larmishme titullohet: “Në hapat e Resulull-llahut (a.s)…”, ku sot, ligjërata e radhës u mbajt nga teologu Ervil Kuçi, njëherazi përgjegjës i sektorit të rinisë në Myftininë e Shkodrës.

Gjatë ligjëratës së tij, imami i nderuar hodhi dritë mbi rëndësinë e leximit me urtësi e thellësi të jetës së Hz. Muhammedit (a.s) dhe përftimit të mesazheve të urta që burojnë nga shembulli i tij i përkryer në çdo drejtim.

Ai tha se, Hz. Muhammedi (a.s) na mësoi me sjelljen dhe praktikën e tij, sesi të sillemi edhe armiqtë tanë në jetë, përpara vëllezërve e besimtarëve, duke luftuar veset dhe ligësitë, por assesi njeriun, si krijesa më e përkryer e All-llahut.

Më parë, aktiviteti u përshëndet edhe nga z.Kujtim Dervishi, Drejtor i Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, Imam Muhamed B. Sytari, Myfti i Zonës Shkodër, z.Ritvan Seferaj, Kryetar i Shoqatës “Istanbul”, teologu Arben Halluni, në mesazhet e të cilëve u përcollën këshilla, urtësi, njohuri dhe thirrje drejtuar të pranishëmve për ta jetuar shembullin e mrekullueshëm të Hz. Muhammedit (a.s) në shoqërinë shqiptare dhe kudo në jetë.

Aktiviteti u zbukurua edhe me këndimin melodioz të një pjese kur’anore, nga medresisti Omer Ajruli.

Seria e aktiviteteve në fjalë, vijon ditën e nesërme, më 14 dhjetor 2016, ora: 17.00, në bibliotekën e qytetit, ku do të zhvillohet një sesion shkencor kushtuar jetës dhe veprës së Hafiz Ali Ulqinakut.

Kronisti

 

MË SHUMË SE NJË MBRESË

Jemi në muajin dhjetor, 2016. Edhe pak ditë na ndajnë nga fundi i këtij viti. Me të drejtë, të vegjël, mosha më e re, e dytë, e tretë, pyesin e presin, presin dhe pyesin: “Si do të jetë viti i ri 2017? A do të ketë më shumë shpresë, a do të ketë më shumë diell, rreze drite, apo do të jetë i vakët, gri, dramatik? A do të ketë buzëqeshje?” Këto e shumë pyetje të tjera njerëzit me padurim, pyesin e presin… Presin…
Nuk e di pse i mendova këto rreshta si hyrje të shkrimit (më shumë se një mbresë) tim, teksa shihja veprimtarinë e organizuar nga Myftinia-Shkodër me nxënësit e Medresesë “Haxhi Sheh Shamia. Isha i lumturuar dhe i ngazëllyer. Arsyeja shumë e thjeshtë: një pjesëmarrje e begatë me një dëgjim të begatë. Zemrat u mbushën me dritë. Zemrat u kthyen me “fytyra” nga drita. Ky aktivitet i bukur e mbresëlënës ishte pjesë e gjerdanit të aktiviteteve që po organizon Myftinia, në përkujtim të figurës së ndritur të Profetit Muhamed (a.s.).
Sot, më shumë dritë kishte ajo sallë! Ai ishte “I PRANISHËM” me ne, në sytë, në zemra dhe në shpirt. Ndaj, sot çdo gjë ishte prej drite, prej nuri, prej të vërtete, prej besnikërie e adhurimi.
Këtë e theksuan në fjalën e tyre plot dritë teologu Arben Halluni, drejtori i Shkollës Kujtim Dervishi, koordinatori i Shoqatës “Instambul” Ritvan Seferi.
Dritë, doemos, solli dhe fjala përshëndetëse e Myftiut të Qarkut Shkodër, Imam Muhamed Sytati. Përmes një elokuence të njohur, përmes dijes që e karakterizon, u fali plot mirësi të pranishmëve, u solli një faqe të ndritur nga Dritësia e çmueshme e mësimeve të Profetit. Fjalëkyçet e bisedës së tij të urtë dhe plot vlerë, ishin: “e begatë, begati, dritë, e sotme dhe e nesërme, udhëzime, besim, mos-harrim,, vlerë, virtyt”, etj.
Mendoj, që një hapësirë këtij aktiviteti i dha dhe ligjerata e teologut Ervil Kuçi. Ashtu, modest dhe energjik rrezatonte energji dhe dritë, teksa fliste për Profetin. Shembujt, analiza, përqasja me të sotmen, shikimi drejt së ardhmes; i të jetuarit në çdo sekondë e në çdo moment me Kuranin, me mësimet dhe dritën e Profetit, brezat (pra, gjeneratat e nxënësve) jo vetëm që do të dalin kurdoherë faqebardhë, por në sytë e zemrat e tyre “do të çelin” përherë virtytet; por ajo çka është më e rëndësishme, vetë, Shqipëria do të ketë më shumë buzëqeshje, më shumë dritë! Le ta përqafojmë DRITËN dhe të dhurojmë buzëqeshje nga Urtësia e Profetit shumë të dashtun, Muhamedit (a.s.).

Xhahid H. Bushati
Medreseja “Haxhi Sheh Shamia”, Shkodër, 13.12.2016

Aktualitet

Archives