Borchardt: Korrupsioni mbetet problem serioz për Shqipërinë

Korrupsioni mbetet problem serioz për Shqipërinë, është shprehur ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt në forumin e nivelit të lartë për antikorrupsion, në ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit.

“Gjatë këtyre viteve të fundit, qeveria e Shqipërisë ka bërë përpjekje të konsiderueshme për të adresuar çështjen e korrupsionit në vend – përmirësimi i politikave dhe kuadrit legjislativ është i dukshëm, por duhet bërë më shumë: korrupsioni mbetet problem serioz për vendin. Pavarësia dhe efikasiteti i institucioneve që presupozohet të luftojnë korrupsionin vazhdojnë të kufizohen nga presioni politik dhe kapacitetet e dobëta administrative. Progresi i qëndrueshëm në zbatimin e ligjeve dhe politikave të mirëqeverisjes duhet të ruhet, kombinuar me ndryshimet e dukshme që priten në gjyqësor. Shpeshherë pagat e ulëta, pranimi i ryshfetit nga shoqëria dhe rrjetet e ngushta sociale e bëjnë luftën kundër korrupsionit një detyrë të vështirë. Duhet t’i kushtojmë më shumë përpjekje garantimit të integritetit të zyrtarëve të zgjedhur dhe ndërtimit të një administrate publike të besueshme, funksionale dhe transparente. Sidoqoftë, masat e ndryshme kundër korrupsionit duhet të kombinohen me incentiva të përshtatshme ekonomike për zyrtarët publikë”, është shprehur z. Borchardt.

Për kreun e OSBE-së në Shqipëri, “korrupsioni nuk është thjesht një çështje financiare. Ai mund të çojë në mungesë të ndjeshme të stabilitetit shoqëror dhe në konflikte. Prandaj, ekziston një lidhje e qartë midis zhdukjes të korrupsionit dhe garantimit të sigurisë, shtetit të së drejtës dhe stabilitetit afatgjatë”.

Ai shprehu angazhimin e prezencës së OSBE-së në Tiranë për një plan afatgjatë në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet. “Ne bashkëpunojmë vazhdimisht me institucionet shqiptare në aktivitete si monitorimi i politikave dhe rishikimi i ligjeve, forcimi i kapaciteteve përmes transferimit të njohurive, duke siguruar mjetet që promovojnë antiryshfetin dhe sjelljen e mirë mes bizneseve, duke kryer aktivitete sensibilizimi dhe edukimi të rinisë, si dhe duke nxitur një pjesëmarrje më të madhe të shoqërisë civile në proceset e konsultimit të politikave. Besoj se rivendosja e besimit të qytetarit tek institucionet duhet të jetë prioritet”, tha ai.

Aktualitet

Archives