Bunk’Art 2 në Tiranë, misteret e bunkerit të shndërruar në muze

Në këtë muze janë të ekspozuara dokumente të historisë së policisë gjatë regjimit komunist në vitet 1944-1991.

Në muajin nëntor të këtij viti, kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranë, iu shtua edhe një objekt tjetër muzeal dhe bëhet fjalë për Bunk’Art 2, që u inaugurua nëpërmjet një ceremonie të veçantë ku morën pjesë personalitete të larta të vendit. Bunkeri që u kthye në një objekt debati mes qeverisë dhe ish të përndjekurve politikë më në fund përfundoi së ndërtuari, për të shërbyer si hyrje e muzeut që i kushtohet viktimave të regjimit komunist.

Anadolu Agency (AA) ka vëzhguar nga afër Bunk’Art 2 i cili është i vendosur pranë godinës së Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë, ndërsa në të janë ekspozuar fakte të ndryshme, fotografi, aparatë përgjimi, sende të tjera që tregojnë aktivitetin e institucioneve policore të regjimit komunist, si dhe dëshmi të ndryshme që lidhen me viktimat e shkaktuara nga regjimi i ish-diktatorit Enver Hoxha.

Ndërkohë që ditën e parë të hapjes ky objekt tashmë i shndërruar në muze vizitohet çdo ditë nga dhjetëra banorë të kryeqytetit, si dhe qyteteve të tjera të vendit, por edhe nga turistë të huaj.

Sajmir Hamzaraj, 60 vjeç, pas vizitës në këtë muze shprehet se hapja e tij ka qenë e domosdoshme që qytetarët të njohin të shkuarën komuniste.

“Ky regjim na kujton shumë të zeza dhe mos ardhtë më. Gjyshi im ka ndërruar jetë në vitin 1951 në hetuesinë e Durrësit dhe arsyeja ishte se ishte intelektual dhe i pasur. Këtu ndjejmë një rrëqethje mishi dhe një heshtje. Vetëm heshtje. Unë kam nënën gjallë dhe kujtoj vuajtjet e saj. Eshtrat e gjyshit tim, Tahir Beshiri, i cili ka qenë një tregtar ende nuk janë gjetur. I bëj thirrje shtetit të vendosë dorën në zemër dhe ti gjejë këto eshtra. Edhe neve të çojmë amanetin në vend dhe të çojmë lule në varrin e tij”, thotë Hamzaraj.

Dilaver Dobra, me banim në Tiranë edhe pse e ka jetuar periudhën e regjimit komunist, pasi ai sot është 72 vjeç ka shfaqur kureshtjen për të vizituar Bunk’Art 2. Ai duke folur për AA tregon se ky muze i kujton të shkuarën, vuajtjet që kanë përjetuar të parët e tyre përpara ardhjes së demokracisë.

“Ky muze duhet të ishte hapur edhe më parë, që me kohë për të mësuar më shumë rreth torturave dhe përndjekjeve që ka pasur sistemi i atëhershëm. Normalisht edhe mua më kujtojnë momente të vështira. Unë nuk i kam vuajtur, por vuajtjet e prindërve, të afërmeve dhe shokëve na kujtohen duke parë këtë muze”, thotë ai.

Tuneli i Ministrisë së Brendshme është ndërtuar mes viteve 1981 dhe 1986 dhe mund të konsiderohet si një nga “veprat e mëdha” të fundit të kryera nga regjimi komunist në kuadër të projektit të bunkerizimit që kishte filluar në fillim të viteve ’70.

Ky bunker-tunel, i quajtur me emrin e koduar “Objekti Shtylla”, përbehej nga 24 dhoma, nga një apartament i rezervuar për ministrin e Brendshëm dhe nga një sallë e madhe për telekomunikacionin. Ashtu si shumë bunkerë të tjerë të kësaj madhësie, dhe ky ishte ndërtuar për të përballuar një sulm kimik e bërthamor të mundshëm. Në të vërtetë bunkeri nuk është përdorur as edhe për stërvitje. Si Kryeministri i kohës Mehmet Shehu ashtu dhe diktatori Enver Hoxha, të cilët urdhëruan ndërtimin e tij, nuk e kanë parë kurrë të përfunduar për shkak se të dy ndërruan jetë para se punimet të mbylleshin. Hyrja dhe dalja e bunkerit janë krijuar vetëm në kohët e fundit, pasi në projektin fillestar mund të hyhej në tunel vetëm nga brenda Ministrisë së Brendshme.

Në këtë muze janë të ekspozuara dokumente të historisë së policisë gjatë regjimit komunist në vitet 1944-1991, por edhe para kësaj periudhe. Një nga dhomat e këtij muzeu i është kushtuar personave që humbën jetën si kundërshtarë të regjimit komunist.

Ndërkohë kujtojmë se Bunk’Art 1, i njohur ndryshe si bunkeri antibërthamor u inaugurua si muze i haur për publikun në nëntor të vitit 2014. Ai gjatë regjimit komunist është emërtuar si “Objekti 0774”. Në shumë nga ambientet e bunkerit janë ekspozuar armatime, uniforma, dokumente, harta të ndryshme dhe sende dhe dokumente të tjera që shërbenin në atë kohë.

Instituti Integrimit të ish-të Përndjekurve Politikë (IIPP), disponon statistikat zyrtare për numrin e të internuarve, të burgosurve, pushkatuarve dhe të zhdukurve për motive politike, apo për motive të ngjashme, gjatë regjimit komunist. Sipas këtij institucioni, të pushkatuar me ose pa gjyq janë rreth 6000, të burgosur përgjatë gjithë 45 viteve të diktaturës janë rreth 18 mijë me status.

Aktualitet

Archives