Nishani: Kemi ushtri “të vogël”, por eksportojmë paqe

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, njëkohësisht Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, uroi të dielën me rastin e 104-vjetorit të Ushtrisë Kombëtare.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, njëkohësisht Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, uroi të dielën me rastin e 104-vjetorit të Ushtrisë Kombëtare.

Pas 28 Nëntorit të lavdishëm, ditës së shpalljes së Pavarësisë, sipas Nishanit, “4 Dhjetori 1912 është data që shënon një ndër aktet më madhore në historinë e shtetit shqiptar, krijimin e Ushtrisë Kombëtare”.

“Edhe pse jo e institucionalizuar, qëndresa ushtarake e shqiptarëve nuk ka qenë kurrë zero. Me aq mundësi ushtarake sa kemi pasur, kemi siguruar mbijetesën dhe integritetin kombëtar. Shqipëria ka sot një Ushtri profesioniste, që forcohet dita-ditës, duke pasur synime të qarta për përsosjen dhe modernizimin e saj. Sot Forcat tona të Armatosura kanë historinë e vet. Kanë martirët dhe dëshmorët e vet. Nderim përjetë kontributit dhe sakrificës së tyre”, shprehet Presidenti Nishani.

4 Dhjetori, për të gjithë ushtarakët dhe për të gjithë popullin, sipas Kreut të Shtetit, “është një ditë për të shprehur respektin, mirënjohjen dhe për të nderuar gjithçka bënë heronjtë e vërtetë, duke hapur rrugën e krijimit të ushtrisë moderne të Shqipërisë që sot renditet në Aleancën më të madhe politike dhe ushtarake e më të suksesshme të të gjitha kohërave, atë të Atlantikut të Veriut”.

“Tashmë e kemi gjetur udhën. Po ecim pa u ndalur drejt një të ardhmeje të sigurtë me Forca të Armatosura që kryejnë më së miri rolin e vet në botën e sotme të turbullt me plot të papritura. Kishim ushtri “të madhe”, por nuk kishim liri dhe eksportonim konflikt. Kemi ushtri “të vogël”, por kemi liri dhe eksportojmë paqe. Garantojmë sigurinë e vendit. Kemi pjesëmarrje shembullore në misione ndërkombëtare. Forca dhe vitaliteti i Forcave të Armatosura qëndron tek demokracia dhe liria”, tha në përfundim, Nishani.

Aktualitet

Archives