Historia e hidhur e ish-të përndjekurve politik në Shqipëri, në rrëfime dhe statistika

Të internuarit ndahen në dy nënkategori, të internuarit nga 1945-1954 dhe nga 1954-1991. Të pushkatuar me ose pa gjyq janë rreth 6000, të burgosur përgjatë gjithë 45 viteve të diktaturës janë rreth 18 mijë me status dhe të internuar nga të dyja kategoritë janë mbi 30 mijë”

MALIK HASA/FATJON CUKA- Regjimi komunist në Shqipëri, përveç mohimit të shumë të drejtave të njeriut, krijoi një sistem të gjerë të përndjekjes dhe burgosjes për të gjithë kundërshtarët politikë të regjimit. Kampet dhe burgjet të vendosura në qytete të ndryshme të Shqipërisë, u bënë vendet e vuajtjeve të shumëfishta për mijëra familje për vite me radhë gjatë 45 viteve të regjimit të ish-diktatorit Enver Hoxha. Vuajtjet dhe persekutimet për këtë kategori të shoqërisë shqiptare i lanë gjurmët në 23 burgjet dhe 48 kampet e përqendrimit të shtrira në të gjithë Shqipërinë.

lindur në Pukë, në veri të vendit, sot në moshën 71 vjeçare ai tregon se rrjedh nga një familje anti-komuniste dhe që kanë luftuar me armë kundër komunizmit, ku për shkak të internimit gjatë gjithë kohës së regjimit komunist i është dashur të lëvizë në disa qytete të Shqipërisë. Ai ka arritur të përfundojë studimet në Akademinë e Rendit pas përmbysjes së regjimit komunist.

“Familja është larguar nga Puka në vitin 1944, duke shkuar në Shkodër. Nëna ime në atë kohë ishte shtatzënë. Shumë shtëpi në Shkodër ishin kthyer në burgje ku në njërën prej tyre kam lindur edhe unë. Pas një muaji, konkretisht më 17 korrik të 1945-ës kanë ardhur forcat e ndjekjes dhe ashtu sikurse tregon nëna jonë na kanë vendosur në një makinë nga ku na kanë çuar në Berat, ku na kanë lënë dy dite jashtë, sigurisht me roje të armatosura dhe më pas na kanë vendosur nëpër shtëpitë e braktisura. Vështirësitë kanë qenë të paimagjinueshme. Populli i Beratit ku ne qëndruam për 4 vjet na sillte ushqim natën pasi ditën kishin frikën e atyre njerëzve që mund t’i paditshin dhe më pas kishin pasoja. Nënat tona ditën shkonin të punonin pa shpërblim dhe pa pagesë. Në vitin 1949 na dërgojnë në rrethin e Tepelenës, ku na vendosin në disa stalla që ishin për bagëtitë dhe shumë persona, sidomos fëmijë të vegjël vdiqën. Kampi i Tepelenës ka qenë një kamp shfarosjeje, ku ishte i rrethuar i gjithi me tela. Aty mund të kishte rreth 2 mijë e 500 të internuar kryesisht gra, fëmijë dhe të moshuar” – rrëfen Miraka.

Ai tregon se fatkeqësi tjetër e përjetuar ishte se ajo sipërfaqe brenda kampit ishte e minuar nga lufta italo-greke dhe gratë kur vendosnin kazanin për të larë rrobat kishte shumë raste kur me gjithë fëmijë hidhej në erë. Sipas tij, nuk kishte ditë që të mos vdiste një fëmijë, grua apo i moshuar. Në këtë kamp, Simon Miraka tregon se kanë vdekur rreth 400 fëmijë dhe nuk gjenden eshtrat e tyre, por edhe të moshuarve apo të njerëzve të tjerë që kanë vdekur në këtë kamp.

“Në 1954-ën na hoqën nga kampi i Tepelenës dhe na sollën në Savër të Lushnjes, ku unë arrita të mbaroj edhe shkollën e mesme. Aty njerëzit filluan të punonin në brigada dhe filluan të shpërbleheshin. Jeta filloi të përmirësohej, por gjithmonë nën kontrollin e sigurimit të shtetit. Momenti më i vështirë ka qenë periudha në kampin e Tepelenës. Edhe sot mendoj se si është e mundur që kam mbijetuar duke menduar se aty vdiqën aq shumë fëmijë. Pastaj periudha të tjera të rrezikshme kanë qenë ato të viteve 1973 – 1981, vite të jashtëzakonshme në kuptimin e keq të fjalës sepse filluan arrestimet. Arrestimet bëheshin në të gjithë Shqipërinë, por sidomos në kampet e internimit. Mund të tregoj se ka pasur raste ku janë gjetur dy persona në një varr. Varre masive ka pasur në kohën kur janë bërë ekzekutimet pa gjyq. Unë kam kaluar 45 vite në internim dhe nuk kam shikuar varre masive” – tregon për AA, 71 vjeçari Miraka.

Ai shprehet se gjendja sociale e ish- të përndjekurve sot nuk është një gjendje për t’u marrë si model, por një gjendje varfërie. Ndërkohë për këtë kategori të shoqërisë shqiptare nuk ka ndodhur vetëm dënimi apo internimi, por edhe sekuestrimi i pasurisë së tyre. Miraka tregon se: “Ka pasur tentativa duke u hartuar ligje dhe duke u bërë përpjekje për dhënie shtëpish, punësim, janë bërë ligje për dëmshpërblimin, por nuk mund të vlerësohet jeta me një gjë të tillë pasi nuk ka çmim që mund t’i kthesh tjetrit jetën dhe rininë. Rehabilitimi i kësaj shtrese nuk mund të bëhet duke iu dhënë një dëmshpërblim, por duke i dhënë pronën. Ka njerëz që nuk kanë shtëpi. Ka prej atyre që edhe pse nuk kanë qenë kundër arsimit nuk janë arsimuar dot. Ka mjaft probleme tek shtresa e ish-të përndjekurve politikë pavarësisht përpjekjeve të herëpashershme të qeverive për integrimin e shtresës së të ish-përndjekurve”.

– Numri i të zhdukurve gjatë regjimit komunist është rreth 6000 –

– Instituti Integrimit të ish-të Përndjekurve Politikë (IIPP), disponon statistikat zyrtare për numrin e të internuarve, të burgosurve, pushkatuarve dhe të zhdukurve për motive politike, apo për motive të ngjashme, gjatë regjimit komunist.

Bilal Kola, drejtor i këtij instituti, në një intervistë për AA, shprehet se ish-të përndjekurit politik në Republikën e Shqipërisë sipas një statusi që kanë ndahen në tre kategori: ata që janë pushkatuar me ose pa gjyq nga regjimi, të burgosurit dhe të internuarit. “Të internuarit ndahen në dy nënkategori, të internuarit nga 1945-1954 dhe nga 1954-1991. Të pushkatuar me ose pa gjyq janë rreth 6000, të burgosur përgjatë gjithë 45 viteve të diktaturës janë rreth 18 mijë me status dhe të internuar nga të dyja kategoritë janë mbi 30 mijë. Sa i përket pemës familjare, por edhe sipas sondazheve që kemi, mbi 30 përqind e popullatës në Shqipëri ose në mënyrë të drejtpërdrejtë ose në mënyrë të tërthortë kanë pasoja nga regjimi komunist në kuptimin e përndjekjes politike të tyre, familjarëve apo të afërmeve të tyre” tregon Kola.

Sipas tij, numri i të zhdukurve është rreth 6000, ku ndahen në dy kategori kryesore: e para personat e pushkatuar pa gjyq ku trupat nuk iu janë dhënë familjarëve apo ato persona që kanë vdekur në burg apo në internim me tela me gjemba dhe si vazhdueshmëri e ndëshkimit nuk iu janë dhënë eshtrat familjarëve të tyre. Kola tregon se internimet në Shqipëri janë bërë jo vetëm ndaj të pafajshmëve, por edhe ndaj personave të pagjykuar, ku sipas tij janë internuar familje të tëra me fëmijë të sapolindur e deri minorenë dhe të moshuar, ku komunizmi ndaj kundërshtarëve politik, sipas tij, hakmerrej në mënyrën më të keqe.

Kola ndër të tjera shprehet se: “Këta njerëz merreshin në mënyrë masive dhe dërgoheshin në kampet e internimit, ku kanë përjetuar një vuajtje të skajshme, ku në rastet e caktuara kishte edhe vdekje si pasojë e urisë dhe kushteve të tjera të vështira. Kanë punuar edhe pa u paguar sidomos para vitit 1954. Ndërsa për të internuarit pas vitit 1954 kishte një strehë ku të banonin”.

Për këtë shtresë ka pasur një inflacion ligjesh në Shqipëri, shprehet Kola, pasi që nga viti 1991 e deri tani, sipas vlerësimit të tij, nga pikëpamja e legjislacionit mund të konstatohet që kjo shtresë është e rehabilituar, por situata në terren është ndryshe, pasi ligjet nuk janë zbatuar ashtu siç janë bërë, por në të shumtën e rasteve kanë krijuar edhe kundërthënie midis tyre dhe kjo shtresë sot është shumë larg integrimit. Sipas kreut të IIPP-së kjo shtresë ka probleme nga më të ndryshmet, por vlen të përmendet aspekti i dëmshpërblimit financiar, i cili është në proces.

Ky institut në bashkëpunim me institucionet e tjera shtetërore dhe me shoqatat e ish-të përndjekurve politikë, merret me masat e duhura për realizimin e të gjitha të drejtave të ish-të përndjekurve politikë nga regjimi komunist. Për statusin e kësaj shtrese në Shqipëri ekzistojnë disa ligje, si konkretisht ligji “Për statusin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga sistemi komunist”, që buron nga ligji “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”, si dhe ligji “Për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë nga regjimi komunist”.

Aktualitet

Archives