“Në Shqipërinë burg”, Kola: Një dëshmi për diktaturën më të egër

Kurt Kola, simboli i vuajtjeve që shkaktoi regjimi komunist shqiptar, vjen me një rrëfim të jetës së tij me librin “Në Shqipërinë burg”, një rrëfim për vuajtjen, për lirinë dhe forcën njerëzore.
Libri u promovua te shtunen në Universitetin Europian të Tiranës, me praninë e shumë prej bashkëvuajtësve të Kolës në burgjet dhe kampet e komunizmit.
 “Libri me kujtime i zotit Kurt Kola titulluar “Në Shqipërinë burg”, është një rrëfim i gjatë, i detajuar i kalvarit të dhimbshëm, të mundimshëm dhe tragjik, të familjes së Bilal Kolës Senior dhe i të gjithë parësisë intelektuale patriotike të shqipërisë tradicionale. Bilal Kola, bajraktari krenar i Macukullit në Mat, u vra pabesisht me dorën e komunistëve jugosllavë dhe dha jetën për të mbrojtur krenarinë e njeriut të lirë, duke qëndruar deri në fund me dinjitetin e shqiptarit të ndershëm dhe të papërkulur. Ndërkohë, familja e tij, bashkëshortja Vasha, fëmijët, mes të cilëve Kurti i vogël 9-vjeçar, përcollën një jetë të tërë epope, nëpër kampet e shfarrosjes në masë të Shqipërisë komuniste dhe u përfshinë në grupin e familjeve që nuk do të duhej ta shihnin kurrë lirinë, as në burgun e madh të hapur të “Shqipërisë së Lumtur Socialiste”, shkruan ndër të tjera Romeo Gurakuqi në parathënien e këtij libri.
Kurt Kola tha gjatë ceremonisë së promovimit të librit se “kjo është një punë gjysëm shekulli se aty unë kam dhënë një nga mijëra e mijëra histori të te burgosurve të komunizmit. Çdo i burgosur ka një dramë dhe një histori më vete, pastaj gjithë ata intelektualë të ekzekutuar  që nga 1944 dhe deri nga rënia e diktaturës, pra edhe sikur ne të bëhemi shkrimtarë në rangjet e Shekspirit, nuk mundemi t’i themi ose t’i pasqyrojmë ashtu siç ne i kemi parë, ashtu siç i kemi hequr”.
Më tej ai theksoi se ka bërë me këtë libër aq sa mundet “si një detyrë për ta lënë si dëshmi të brezave që vijnë”.

Aktualitet

Archives