Liqeni i Shkodrës, gumëzhinë nga zhurma e shpendëve ujorë

Liqeni i Shkodrës është një ndër liqenet më të rinj natyrorë të kontinentit tone dhe më i madhi në Ballkan.

Thonë se ky liqen u krijua nga derdhjet dhe depozitimet e lumit Kir.

Lumi Kir, degë e majtë e Bunës, që vjen nga malet e pjerrëta të Shqipërisë, e ka mbushur, gjatë shekujve, shtratin e Bunës me lëndë të ngurta dhe kështu ka penguar derdhjen e ujit nga këneta që ishte formuar afër Shkodrës.

Uji në kënetë u rrit vazhdimisht dhe u shndërrua në liqen. Formimin e liqenit e ka shpejtuar edhe Drini, i cili zbret, po ashtu, nga malet e Shqipërisë.

Ky lumë i rrëmbyeshëm e ka ndërruar shpesh shtratin e vet, duke përmbytur tokat përreth dhe duke i shkaktuar popullsisë së atjeshme dëme të mëdha.

Në liqen fryjnë erëra të forta si nga malet, ashtu edhe nga deti. Era më e fortë është ajo e jugut, Shiroku. Ajo i ngre valët e liqenit aq sa shpesh për ditë me radhë ndërpritet çdo lundrim.

Liqeni i Shkodrës është i pasur në florë detare dhe në faunë ujore.

Rreth 250 lloje shpendësh gjenden në liqen dhe rreth tij, ku gjysma janë migrues dhe pjesa tjetër folezon në brigjet e liqenit.

Mbi 70% e llojeve të shpendëve të Shqipërisë ndodhen në liqenin e Shkodrës, ku vetëm në dimër numërohen rreth 40 lloje shpendësh.Tani në stinën e vjeshtës,shpendët ujor në këtë liqen,japin një spektakël të vërtetë. Ata janë shtuar shumë dhe kanë tërhequr vëmendjen e turistëve të vëzhgimit.

Vlerat turistike të liqenit janë të mëdha, pasi aty ka një harmonizim të përkryer të terreneve malore, fushore e ujore, që i japin kësaj zone një pamje piktoreske. Zonat turistike të Shirokës dhe Zogajt, si dhe vendet piktoreske si Bregu i Ranës, Bishtiqendia, Stërbeqi, Grili, Shegani etj., janë cilësuar si vende të rralla.

Në pjesën shqiptare të liqenit nuk ka faktorë të mëdhenj ndotës, pasi në këtë zonë mungon industria, por një ndotës i madh i këtij liqeni dhe, që, sipas specialistëve është një kërcënim i madh,janë derdhjet e ujërave të mbetur dhe plastikat e qytetit të Shkodrës dhe ato që sjellin lumenjtë e rrëmbyeshëm.

Sot ky liqen është kthyer në një atraksion turistik për pushuesit veror dhe vëzhguesit e shpendëve ujor.

N.Lena, Ata

Aktualitet

Archives