Turqia, mbështetje sistemit shëndetësor shqiptar

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Turqisë, Recep Akdağ, takimin e parë në kuadër të vizitës së tij në Shqipëri e ka realizuar me homologun shqiptar, Ilir Beqaj. Pas takimit mes delegacioneve Akdağ dhe Beqaj kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për mediat, raporton Anadolu Agency (AA).

Beqaj në fillim të fjalës së tij u shpreh se delegacioni i kryesuar nga ministri Akdağ ndodhet në Shqipëri për të ofruar ndihmë në ndarjen dhe vënien në dispozicion të eksperiencës së Turqisë.

“Në fakt programi i transformimit të mjekësisë në Turqi është trajtuar nga Profesor Akdağ i cili ka qenë në detyre në vitet ‎2002 -2013 dhe përsëri në vitet 2106 ka nisur edhe njëherë këtë detyrë. I kërkova Profesor Recepit të bëjë një vlerësim për sistemin tonë shëndetësor, si dhe për ato të shfrytëzimit. Sipas një marrëveshjeje që kemi çdo vit 100 të sëmurë shkojnë dhe kurohen në Turqi. Unë besoj se shumë shqiptarë kanë shkuar dhe kanë parë nga afër duke marrë shërbime shumë të kualifikuara nga shëndetësia turke, për të cilën unë besoj që profesor Recepi ka një ndikim të madh”, u shpreh Beqaj.

Sipas tij, shumë vende të botës për shkak të krizës globale kanë hequr dorë nga ndihmat për pacientët, ndërsa Turqia ka ofruar ndihmën e saj në këtë drejtim. “Turqia e ka mbështetur sistemin tonë shëndetësor edhe përmes një tjetër instrumenti, Agjencisë Turke për Koordinim dhe

Bashkëpunim (TIKA). Përmes TIKA-s ne kemi realizuar shumë zhvillime, duke filluar nga zhvillimi i shërbimit deri tek ato infrastrukturore. Përtej kësaj kemi kërkuar të forcojmë bashkëpunimin në fushën e farmaceutikes dhe në mbështetje të reformës që po bëjmë për ndihmën e shpejtë. Gjithashtu forcimi i marrëdhënieve kërkohet edhe për përmirësimin e kapaciteteve tona profesionale njerëzore në Shqipëri, qoftë me specializime disa mujore, qoftë edhe disa vjetore, qoftë edhe me prezencën disa mujore të mjekëve turq në spitalet tona”, ka theksuar më tej Beqaj.

Ndërsa ministri Akdağ, gjatë fjalës së tij në konferencën për media u shpreh se për Turqinë, Shqipëria është një vend mik dhe se dy vendet kanë një të kaluar të përbashkët historike dhe ngjashmëri kulturore. 

“Shumë nevoja mund ti shtyni, por jo ato shëndetësore. Për këtë arsye ne jemi inkuadruar tek kërkesat e qytetarëve dhe në ndërtimin e një sistemi që i përgjigjet nevojave të tyre. Unë kam ndikuar në ndërtimin e sistemit mjekësor në Turqi, por duhet të them se kryeministri i atëhershëm dhe presidenti i sotëm dhe ministri i financave, mos të kishin mbështetur atëherë puna ime do të ishte shumë më e vështirë. Normalisht qëndrimi i punonjësve të shëndetësisë pranë meje ishte shumë i rëndësishëm. Njëkohësisht kjo është e njëjta gjë edhe për Shqipërinë. Unë pashë që homologu im dhe qeveria janë të vendosur të çojnë përpara sistemin shëndetësor. Si një ministër i Shëndetësisë së një vendi mik dua të falënderoj kryeministrin e Shqipërisë për qëndrimin e tij pranë shëndetësisë”, ka theksuar Akdağ. 

Ai ka shtuar më tej se përvoja e një shteti tjetër mund të ndikojë në përmirësimin e shëndetësisë. Gjithashtu ka theksuar se Turqia ka një shërbim shëndetësor të njëjtë me vendet evropiane, por me kosto shumë më të ulët. 

“Unë do të jem pranë ministrit të Shëndetësisë së Shqipërisë dhe jam gati të sjellë një ekip turk në Shqipëri për të dhënë përvojën e tyre në këtë vend. Për të qenë të suksesshëm duhet të kemi një sistem sa më të mirë dhe tipik shëndetësor dhe me mbështetje nga shteti. Për këtë arsye mendoj që doktorët që punojnë shumë duhet të paguhen më shumë përmes një sistemi performance. Objektivi ynë i vetëm është të mbrojmë dhe ruajmë shëndetin e njerëzve. Të vuajnë sa më pak kur janë të sëmurë”, ka përfunduar fjalën e tij ministri turk i Shëndetësisë, Recep Akdağ. 

Gjithashtu ministri Akdağ pritet të takohet edhe me drejtuesit e disa spitaleve të rëndësishme në Shqipëri.

Aktualitet

Archives