Refugjatët në Serbi, të bllokuar nga mbyllja e kufijëve

Një muaj pasi liderët europianë vendosën forcimin e kontrolleve kufitare në Samitin e Vjenës, Serbia vazhdon të përballet me presionin e madh të refugjatëve.

Fluksi i emigrantëve atje nuk ka të reshtur, e shumica janë të paligjshëm. Një qendër e rëndësishme asistence në Beograd u mbyll dhe u kthye në parking makinash pas bllokimit të të ashtuquajturës rrugë ballkanike, mënyra kryesore e kalimit për njerëzit që i largoheshin konflikteve e varfërisë në Lindjen e Mesme dhe Afrikë me shpresën e një jete më të mirë në Europën veriore.

Mbi 800 refugjatë jetojnë tani në tre magazina të braktisura të qytetit e shumë të tjerë i gjen nëpër parqe dhe parkingje. Kushtet e tyre të jetesës janë të mjerueshme. Në mjaft raste, mungojnë dhe pajisjet hidrosanitare.

Janë tre dhoma këtu e katër atje. Nuk ka banjë, e nuk kemi as dushe. S’ka asgjë siç mund ta shihni dhe vetë. Është një vend shumë, shumë i pisët”, shprehet një refugjat.

Problemet e këtyre njerëzve nuk përfundojnë këtu.

“Policia nuk po na jep as dokumentet zyrtare sepse kampet e refugjatëve janë të mbushura plot”, thotë një tjetër refugjat.

Disa prej emigrantëve kanë refuzuar të shkojnë në kampe nga frika se mos i dërgojnë mbrapsht në vendet e origjinës. Qindra të tillë rreshtohen çdo ditë për të marrë një sasi të kufizuar ushqimi në një park të Beogradit, ndërsa ka dhe nga ata që u ndodh shpesh t’i kalojnë netët të uritur dhe jashtë në të ftohtë.

Aktualitet

Archives