Rama: Çështja çame është çështje e Shqipërisë

Çështja çame thuhet ‘çështje çame’ për t’u kuptuar, por është çështje shqiptare, është çështje e Shqipërisë, tha Kryeministri Edi Rama i ftuar në një televizion privat të martën në mbrëmje në Tiranë.

Kryeministri Edi Rama i ftuar në emisionin “Studio e Hapur” të gazetares Eni Vasili në ‘News24’, foli për vizitën e tij në Beograd dhe polemikat që u ngritën pas saj.

“Një polemikë artificiale brenda një oborri shumë të ngushtë njerëzish ndërkohë që besoj që për popullin shqiptar këndej dhe andej kufirit nuk ka pasur arsye për asnjë polemikë”, i cilësoi Rama polemikat.

Rama u shpreh se është në kontakt të vazhdueshëm me qeverinë e Kosovës. “S’kemi asnjë problem të kësaj natyre dhe unë s’kam asnjë arsye të them që kryeministri apo presidenti i Kosovës janë në ndonjë korsi që divergon sadopak nga korsia jonë. Jemi plotësisht të njehsuar. Sigurisht secili në detyrën e vet. Unë nuk kam marrë përsipër dhe nuk do marr kurrë përsipër të bëj detyrën e udhëheqësve të Kosovës. Unë kam marrë përsipër të bëj detyrën e kryeministrit të Shqipërisë”.

Ndërsa lidhur me deklaratat e Ministrit të Jashtëm të Greqisë, Nikos Kotizas, Rama u shpreh se, “Mendoj që është një deklaratë për konsum të brendshëm, në opinionin publik grek dhe mua më ndjell një buzagaz të lehtë miqësor. Jemi dy vende anëtare të NATO-s, dhe siç e dimë ne e dinë dhe fqinjët tanë grekë, kështu që këto lloj deklaratash janë konsum i brendshëm që nuk është i panjohur në politikën greke dhe s’ka asnjë problem për ne. Nuk i marrim dot seriozisht si kërcënime, sepse unë nuk i konsideroj kërcënime, i konsideroj një shprehje vetëndjehjeje nga ana e fqinjëve tanë atje brenda. Por ne s’kanë çfarë force na tregojnë fare”.

Ndërsa për çështjen çame Rama tha se, çështja çame thuhet çështje çame për t’u kuptuar, por është çështje shqiptare, është çështje e Shqipërisë dhe ndoshta përsëritja thjesht si çështje çame për t’u kuptuar lë shpesh herë dhe shteg për të bërë dhe abuzime, spekulime të natyrës jo ata bashkëpunuan me nazistët jo andej, jo këtej. Jo, s’ka lidhje fare. Kjo është një çështje e Shqipërisë, është në dosjen e diskutimeve që do bënim me Greqinë, meqë ra fjala ne me Greqinë nuk kemi ndonjë tension luftarak, ne me Greqinë kemi që nga dita e parë disa kërkesa të thjeshta, për t’ju dhënë marrëdhënieve një hov të ri. Askush nuk mund ta mohojë, as ata nuk e mohojnë që marrëdhëniet kanë pësuar një ngërç me paktin famëkeq të detit, të cilin ne e kundërshtuam dhe Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e rrëzoi. Po ashtu ne kemi një tjetër çështje që ne duam të zgjidhet. Dhe duam të zgjidhet jo sepse duam tensione, por pikërisht sepse duam paqe harmoni, vëllazëri me fqinjët tanë të dashur, që është ligji i luftës. Unë i mirëkuptoj grekët kur thonë ç’është kjo, kjo është një gjë kot. Meqë është një gjë kot, ta fshijmë këtë gjë kot, mos ta lemë aty. Dhe aq kot nuk është. Ne kemi gatishmërinë që këtë gjë ta zgjidhim me dialog. jemi në dialog të vazhdueshëm dhe unë personalisht mund t’ju them që me qeverinë e kryeministrit Cipras e kemi intensifikuar këtë dialog”.

Aktualitet

Archives