Plagoset në oborrin e shtëpisë së vjehrrit në Theth, dyshohet për gjakmarrje

Një 45-vjeçar u plagos me armë zjarri në rrethana ende të paqarta rreth orës 06.30 minuta në fshatin Theth, në vendin e quajtur Okol.

Nazmi Topuzi  nga Tirana i cili kishte shkuar tek vjehrri i tij në këtë zonë turistike, është qëlluar me armë zjarri sapo ka dalë në oborrin e banesës.

Për ngjarjen në fjalë policia e Shkodrës u njoftua nga vetë banorët e zonës, ndërsa pas mbërritjes në vendngjarje ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e plagosjes së 45-vjeçarit.

Vetë Topuzi është dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Shkodrës, ku ndodhet në gjendje kritike për jetën pasi 2 plumba e kanë prekur njëri në krah, e tjetrit në gjoks.

Ai ndodhet në sallën e reanimacionit të këtij spitali. Nga të dhënat paraprake dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive gjakmarrje, megjithatë ende zyrtarisht policia nuk e ka një konkluzion përfundimtar.

Në pyetje po merren familjarët e të plagosurit, ndërsa në zonë po punohet për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve.

Dyshohet se 45-vjeçari që ndodhej me pushime në këtë zonë mund të jetë ruajtur nga autorët, të cilët kanë pritur momentin kur ai ka qënë vetëm për ta qëlluar.

Për shkak të terrenit malor dhe pozicionit gjeografik, autorët e kanë patur të lehtë që të largohen pa rënë në gjurmët e policisë, pasi për të mbërritur deri në këtë pikë duhet mbi 3 orë udhëtim.

Aktualitet

Archives