Qeveria zgjidh qesen 3 muaj para zgjedhjeve, Rama: Mësuesit 10% rritje page

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla ka deklaruar këtë të hënë, në një takim me mësues nga i gjithë vendi, se reforma e ndërmarrër nga qeveria ka ndryshuar rrënjësisht arsimin në Shqipëri.

“Sot kemi një arsimim real dhe jo si dje kur kishim shitje të diplomave dhe çertifikatave fiktive”, ka thënë Nikolla.

Përveç cilësisë së arsimit, ministrja ka nënvizuar se, reforma ka sjellë një ndryshim pozitiv edhe në procesin e emërimeve në këtë sistem.

Ajo është shprehur e vendosur për ta çuar përpara implementimin e kësaj reforme. “Përmes kësaj reforme sot kemi ngritur gjimnazin e gjeneratës së re. Kjo është reforma e arsimit edhe për regjistrimin në universitete”, ka thënë Nikolla.

Standardi që ndjekin vendet e përparuara është krejt tjetër, ka nënvizuar ajo, por edhe qeveria shqiptare po ecën në të njëjtin drejtim. “Deri dje askush nuk kishte sy e vesh për të parë e dëgjuar ankesat e qytetareve”, ka shtuar Nikolla.

Ahmetaj: Rritje me 10 për qind të pagave

I pranishëm në këtë takim, ministri i Financave, Arben Ahmetaj ka premtuar rritjen e pagave për mësuesit. “Do të ketë rritje pagash në vitin 2017 me 10 për qind. Kjo nuk është rritje page, por reformë në administratën publike, në arsim. Për herë të parë do të kalojmë në një rritje reale”, ka thënë Ahmetaj.

Rama: Në arsim kemi shënuar një kthesë historike

Ndërsa kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij, ka deklaruar se, më në fund përpjekjet e vështira në sektorin e arsimit janë shpërblyer. Rama ka theksuar se, ndryshe nga situata kur qeveria e tij e gjeti arsimin 3 vjet më parë, sot ky sistem ka bërë një “kthesë historike”.

“3 vjet më parë kur morëm detyrën gjetëm 35 milionë dollarë borxhe në arsim. Borxhe që shteti u detyrohej të tretëve. Gjetëm edhe një infrastrukturë arsimore shumë të vështirë, me 177 mijë nxënës të arsimuar me deformime, jo për faj të tyre por të politikës qorre. Gjetëm një analfabetizëm institucional prej 60 për qind dhe një arsim të transformuar në një sistem grabitjeje të parave të prindërve dhe ëndrrave të të rinjve”, ka thënë Rama.

Në këtë situatë, ka vijuar ai, “ishte i nevojshëm një operacion i thellë në arsim, për të riparuar një sistem kanceroz”.

“E përsëris, për inatin e të gjithë atyre që pasi kanë dështuar për vite të tëra kanë drejtuar gishtin e akuzës ndaj ministres së Arsimit, duke theksuar se është falë lidershipit të saj që ne sot jemi në kushte të tilla ku mund të themi se në arsim kemi shënuar një kthesë historike në çdo aspekt. Kemi marrë kthesën në drejtimin e duhur për ta transofrmuar arsimin në Shqipëri në një instrument rritjeje ekonomike e shoqërore”, ka thënë Rama.

Ai ka shtuar se, sot fëmijët shqiptarë mësojnë me tekste të njëjta me ato të fëmijëve në Angli apo kudoqoftë në BE. “Gjithashtu, nuk emërohet më mësues kush paguan më shumë. Garantimi i karrierës së mësuesit e kthen atë në figurën që duhet të jetë”, ka shtuar Rama.

Aktualitet

Archives