Koment – Konvergjenca Turqi-Arabi Saudite

Mbreti i Arabisë Saudite, Salman bin Abdulaziz al-Saud, vizitoi Turqinë në përgjigje të ftesës së Presidentit Recep Tayyip Erdogan, si dhe mori pjesë në Samitin e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI).

Turqia i kushtoi rëndësi të veçantë vizitës së Mbretit Salman, i cili u nderua nga Presidenti Erdogan me medaljen shtetërore më të lartë të Republikës së Turqisë. Që kur Mbreti Salman u ngjit në fron, marrëdhëniet Turqi-Arabi Saudite janë mbështjellë nga një klimë pranverore. Realisht, pas grushtit të shtetit të korrikut 2013 ndaj Muhamed Mursit, presidenti i parë egjiptian i zgjedhur me votën e lirë të popullit, marrëdhëniet ndërmjet Ankarasë dhe Riadit ishin zbehur dhe madje kishin marrë nuanca negative. Kjo sepse Turqia u rendit zyrtarisht përkrah vullnetit popullor në Egjipt, ndërsa administrata saudite ofroi mbështetje madhore të gjithanshme për puçistët egjiptianë.

Kurse sot, të dyja këto vende i përcjellin botës mesazhin se janë partnerë dhe aleatë strategjikë në rajon. Mirëpo cilat janë arsyet që i shtynë këto dy shtete të rëndësishme të rajonit për t’i çuar marrëdhëniet ndërmjet tyre në pikën më lartë historike?

Këtë gjë nuk mund ta minimizojmë vetëm në faktorin e quajtur Mbreti Salman, por duhet të vlerësojmë hollësisht perceptimet e interesave të përputhshme të Turqisë dhe të Arabisë Saudite, si dhe politikat që ndjekin shtetet në fjalë për realizimin e këtyre interesave.

Mbi të gjitha, të dyja këto vende përgjithësisht ndihen të shqetësuara nga politikat, që fuqitë e mëdha perëndimore ndjekin në rajon. Sot, mënyra sesi Arabia Saudite dhe Turqia i lexojnë proceset në Siri, Irak dhe Jemen është kryesisht e njëjtë.

Për më tepër, besohet gjerësisht se Irani ka fituar në rajon një influencë më të madhe se ç’duhet dhe se kjo duhet të ekuilibrohet. Çështja e gjetjes së marrëveshjes me Iranin për programin bërthamor të këtij të fundit, gjykohet si moskokëçarje e Perëndimit ndaj ekuilibrave të rajonit për të realizuar interesat e tij ekonomike.

Një tjetër çështje, që shqetëson jo pak Ankaranë dhe Riadin, është shfrytëzimi i dhunës së organizatave terroriste transnacionale, ku ia vlen të përmenden sidomos Al-Kaida dhe DAESH-i, si justifikim për ta mbajtur rajonin të hapur për ndërhyrjet e huaja. Turqia dhe Arabia Saudite kërkojnë që shtetet e rajonit ose ato islame të marrin përsipër nismën e drejtpërdrejtë për të luftuar vetë kundër organizatave të sipërcituara.

Shqetësimet e Arabisë Saudite në lidhje me Iranin kanë nisur në vitin 1979. Konkurrenca gjeopolitike pas Revolucionit Iranian, i njohur edhe si Revolucioni Islamik, shkaktoi një “luftë të ftohtë rajonale” ndërmjet dy vendeve. Regjimi i themeluar në vitin 1979 në Iran ngriti pikëpyetje mbi ekuilibrin e fuqive në rajon dhe ideologjikisht sfidoi statuskuonë rajonale. Kjo situatë i shtyu Irakun dhe vendet e Gjirit, me në krye administratën saudite, pasi ishte pikërisht statusi i saj ai më i sfiduari, që të perceptojnë një kërcënim të ri. Rrjedhimisht, vendet e Gjirit i ofruan regjimit të Saddam Husseinit mbështetje të gjithanshme në luftën 8-vjeçare Iran-Irak.

Rrëzimi i regjimit të Saddam Husseinit pas ndërhyrjes ushtarake të udhëhequr nga SHBA-të në Irak, në vitin 2003, përbën një tjetër thyerje. Ndryshimi i regjimit irakian, si pasojë e ndërhyrjes amerikane, te Riadi dhe aleatët e tij të Gjirit krijoi perceptimin e një shkarjeje të ekuilibrit rajonal të fuqive në favor të Iranit. Qeveritë e formuara nga partitë shiite, të cilat fituan zgjedhjet dhe morën drejtimin e Bagdadit zyrtar pas pushtimit amerikan, vendosën marrëdhënie të ngushta me Teheranin. Kjo e konsolidoi akoma më shumë perceptimin në fjalë.

Vendet e Gjirit u ndjenë mbi gjemba edhe nga roli i Teheranit e aleatëve të tij gjatë procesit të Pranverës Arabe, si dhe nga zhvillimet në Bahrejn. Influenca iraniane mbi popullatën shiite të Lindjes së Mesme arabe përforcoi tek sauditët dhe aleatët e tyre idenë se Teherani ka synime dhe plane hegjemoniste. Të gjithë këtë situatë, administrata saudite e lexoi si një ndërhyrje iraniane në vendet arabe të Gjirit. Njëkohësisht, Riadi zyrtar vlerësoi nga aspekti i ekuilibrit dhe i luftës rajonale për pushtet gjithashtu zhvillimet në Jemen dhe në Siri.

Pas marrëveshjes bërthamore me Iranin, shqetësimet ndaj Teheranit u shtuan edhe më shumë. Në Irak, bashkërendimi i qeverisë së Bagdadit me Iranin dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke paraqitur si pretekst DAESH-in, u vlerësua si një bashkëpunim ndërmjet Teheranit dhe Uashingtonit. Shqetësimi u bë edhe më i madh pasi vendet perëndimore, të cilat këmbëngulnin për “largimin e Esadit” në fillim të 2012-s, ndryshuan qëndrimin e tyre brenda dy vitesh. Por kupa u mbush kur ekuacionit të quajtur Siri iu shtua Rusia, e cila u renditet në krah të regjimit të Esadit, ashtu si dhe Irani. Lëvizjet e sipërcituara po konsolidonin qëndrueshmërinë e regjimit të Esadit dhe, nga këndvështrimi i Arabisë Saudite, kjo nënkuptonte miratimin dhe konfirmimin e influencës gjithnjë e më shumë në rritje të Iranit në arenën ndërkombëtare.

Andej nga gjysma e vitit 2014, Turqia dhe Arabia Saudite filluan t’i lexojnë kryesisht në të njëjtën mënyrë zhvillimet rajonale dhe qëndrimet e tyre nisën të përputhen. Ndërsa pas ngjitjes së Salman bin Abdulazizit në fronin e Mbretërisë Saudite, marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve u zhvilluan me shpejtësi. Marrëveshja e Bashkëpunimit Strategjik, që u nënshkrua në muajin dhjetor të 2015-s, rezultoi një pikë kthese e rëndësishme në këtë suazë.

Të dyja vendet bashkëveprojnë ngushtë për themelimin e një aleance ushtarake të ngjashme me NATO-n. Nisma që do të përfshijë 34 vende myslimane brenda organizatës me tipare ushtarake, nga pikëpamja e Turqisë nënkuptonte rritjen e kapaciteteve strategjike të saj në Lindjen e Mesme. Shqetësimi i Ankarasë dhe i Riadit nga qëndrimet e perëndimorëve në rajon luajti rolin e një katalizatori në këtë bashkëpunim mes dy vendeve. Si rezultat i kësaj marrëdhënieje, qëndrimet e Turqisë dhe ato të Arabisë Saudite filluan të përputhen në vija të përgjithshme, pavarësisht se më parë ato ndiqnin politika të kundërta për sa i takon Sirisë.

Sakaq, ka shenja të fuqishme se këto dy vende do t’i zhvillojnë edhe më shumë marrëdhëniet e tyre multilaterale gjatë vitit 2016.

Por a janë të qëndrueshme këto marrëdhënie? Një nga veçoritë më të rëndësishme të politikës së Lindjes së Mesme është jetëshkurtësia e përgjithshme e nismave për bashkëpunim politik. Arsyeja e kësaj nuk është mungesa e kapacitetit të vendeve të rajonit, por ekspozimi i rajonit ndaj ndërhyrjeve të huaja të vazhdueshme që prej fillimit të shekullit të 19-të. Në shumicën e rasteve, dinamikat lokale apo vendore në Lindjen e Mesme janë shtypur për shkak të këtij ekspozimi dhe kjo ka nxjerrë në pah regjime dhe struktura shtetërore shumë të pamjaftueshme për t’u institucionalizuar. Realiteti i ndërhyrjes së jashtme aktive vijon ende në këtë rajon; por ne do të jemi në gjendje të shikojmë ekzistencën e marrëdhënieve të institucionalizuara për sa kohë që do të vazhdojë ndjeshmëria e përbashkët kundër këtyre ndërhyrjeve të jashtme. TRT

Aktualitet

Archives