Shkencëtarët turq, program kompjuterik me inteligjencë artificiale

Shkencëtarët turq kanë zhvilluar programin e parë kompjuterik me inteligjencë artificiale të aftë për të përshkruar automatikisht pamjet me zë dhe shkrim në turqisht.

Falë kësaj teknologjie të re, që do të funksionojë duke u integruar në telefonat celularë apo në syzet inteligjente, personat me aftësi të kufizuar pamore do të mund të marrin informacione zanore në lidhje me të gjitha ngjarjet dhe konceptet përreth tyre, përfshi kështu gjendjet emocionale të njerëzve dhe sendet e ndryshme.

Erkut Erdem, pjesë e stafit akademik të Inxhinierisë Kompjuterike në Universitetin “Hacettepe” të Ankarasë, bëri me dije se kanë punuar për dy vite me radhë mbi këtë sistem, që analizon materialet pamore dhe shpjegon me zë apo me shkrim veçoritë përcaktuese dhe kryesore të pamjes.

Pasi vuri në pah se plani parësor i tyre është shfrytëzimi i këtij programi, që i shpjegon pamjet automatikisht në gjuhën turke, në teknologjitë që do të lehtësojnë jetën e personave me aftësi të kufizuar pamore; Erkut Erdem theksoi se një tjetër fushë, ku mund të shfrytëzohet me efektivitet ky program, është ajo e sistemeve asistuese të drejtuesve në makinat inteligjente.

Ai nënvizoi gjithashtu se me anë të programit në fjalë do të mund të përshkruhen me zë aktorët, skenat dhe të gjitha ngjarjet e një filmi kinematografik apo të një vepre teatrale.

Ndërsa prof. as. Hazim Ekenel, pjesë e stafit akademik të Inxhinierisë Kompjuterike në Universitetin Teknik të Stambollit, programin kompjuterik të sipërcituar e vlerësoi me këto fjalë: “Tashmë pritet që ky program t’i bëjë makinat të shohin dhe të interpretojnë ato që shikojnë; rrjedhimisht, ai do të hapë një epokë të re në fushën e inteligjencës artificiale.”

Aktualitet

Archives