PLEHRAT, PALOKA: REFERENDUM. RUÇI: AKOMA NUK KA KALUAR LIGJI

Partia Demokratike ka bërë kërkesë për referendum në lidhje me importin e mbetjeve në vendin tonë. Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka, deklaroi se kjo kërkesë për referendum duhet të futet në rendin e ditës dhe të votohet në seancën e sotme plenare.

Paloka u shpreh: “Lejimi i importit të mbetjeve në vend cënon interesin publik pasi rrezikon jetën dhe shëndetin e qytetarëve, bie ndesh me prioritetet ekonomike kombëtare dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit tonë. Populli është shprehur edhe më parë kundër importit. Mbi këtë çështje mund të vendosë vetëm populli. Pyetja që duhet të shtrohet është: A duhet të lejohet importi i mbetjeve në territorin e Shqipërisë?”“Lejimi i importit të mbetjeve mund të përdoret nga grupet kriminale për të futur mbetje të rrezikshme. Në kushtet kur vendi ynë nuk kontrollon dot as ushqimet që futen, e bën të pamundur të besosh se qeveria mund të ndalojë futjen në vend të mbetjeve të rrezikshme. Shumë vende kanë interesa për të larguar mbetjet dhe Shqipëria mund të kthehet në shënjestër për të sjellë mbetje të rrezikshme e të parrezikshme dhe afrimin e asaj që njihet si “mafia e plehrave”. Rruga e vetme është ndalimi total i çdo importi mbetjesh. Duke qenë se kërkesa përmbush kushtet e parashikuara në Kushtetutë, kërkojmë që kjo çështje me rëndësi të veçantë të shtrohet për referendum dhe të përfshihet sot në rendin e ditës dhe të miratohet”, shtoi Paloka.

Ndërsa Gramoz Ruçi i Partisë Socialiste u përgjigj se ligji i miratuar nuk flet për plehra. “Është e drejta juaj ta bëni opozitën si të doni, por ju flisni për plehra kur nuk ka kaluar asnjë ligj për plehra, por për lëndë të parë për një industri të caktuar. Flisni për djegie e groposje plehrash, kur ligji që kaluam nuk lejon djegie e groposje, por vetëm riciklim. Ligji kufizon në mënyrë drastike pikat nga do hyjnë, mjetet dhe burimet njerëzore. Bëheni qesharakë kur thoni ne nuk e kemi depozituar kërkesën, por sot ndryshojeni rendin e ditës, sot futeni në rendin e ditës dhe sot votojeni”, tha Ruçi.

Aktualitet

Archives